E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Vonesat e PS dhe PD me Kodin po futin zgjedhjet në kolaps

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, takoi dje përfaqësuesit e misionit të ODIHR-it që ndodhen prej disa ditësh në Tiranë. Pas takimit Meta tha se, “vonesat në Kodin Zgjedhor vunë në rrezik standardet e zgjedhjeve”. “Ajo që dua të theksoj me shqetësim është pikërisht, që vonesa e jashtëzakonshme, që u bë për miratimin e Kodit Zgjedhor, thjesht për interesa të ngushta të lidershipeve të dy partive, ka sjellë tashmë një kolaps përsa i takon pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti. Koha që ka mbetur në dispozicion është tepër e ngushtë, më pak sesa dy-tre muaj, ndërkohë që bëhet fjalë për qindra e mijëra shqiptarë që nuk kanë pasaporta e që duhet të pajisen me karta identiteti”, tha Meta. Kreu i LSI-së i kërkoi qeverisë të angazhohet përmes një fature të caktuar, për të subvencionuar kartat e identitetit për të gjithë ata qytetarë, për të cilët është e pamundur nga pikëpamja e kostos që përfaqëson një kartë. “Kemi paralajmëruar që këto dy palë synojnë zgjedhje me marifete dhe jo zgjedhje me standarde, dhe nuk do të habiteshim për çdo lloj skenari që do të paraqitej në kurriz edhe të atyre pak standardeve që kanë ngelur pa u shkelur deri tani. Mendojmë që duhet një zgjidhje dhe i kemi kërkuar edhe ODIHR-it, që përveç raportit, të propozojë dhe zgjidhje konkrete, përderisa OSBE-ja ka dhënë garancitë dhe në atë Kod, pavarësisht nga cenimi i disa prej rekomandimeve të saj për zgjedhjet, që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›