KQZ cakton selitë e KZAZ-ve Pranë bashkive dhe komunave
Të 66 Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor do të ngrihen pranë bashkive dhe komunave në të gjithë vendin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë sot vendndodhjen e KZAZ-ve në të gjithë vendin. KQZ-ja propozon që selitë e këtij komisioni do të jenë pranë njësive të qeverisjes vendore. Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, ndër të tjera, në nenin 93 dhe 94, përcakton disa nga kriteret që duhet të plotësojnë ambientet, për krijimin e KZAZ-ve. Duke marrë për bazë kriteret ligjore, eksperiencën e krijuar në vite, përparësitë logjistike, distancën nga qendrat e votimit, transportin rrugor, afërsinë me ambiente të cilat plotësojnë kushtet për VNV dhe hapësirave të objekteve të mundshme, Drejtoria e Komisioneve Zgjedhore ka propozuar njësitë më të mëdha administrative si vendndodhje për krijimin e selive të KZAZ-ve. Disa nga zyrat e KZAZ-ve janë propozuar jashtë territorit të ZAZ-s, por brenda Zonës Zgjedhore. Projekti i përgatitur nga Drejtoria e Komisioneve Zgjedhore do të jetë objekt i debatit nga ana e shtatë anëtarëve të KQZ-së. Për herë të parë, Kodi Zgjedhor ka parashikuar 66 KZAZ, të cilat janë ndarë mbi bazën e një numri të caktuar zgjedhësish. Këto KZAZ përbëhen nga 7 anëtarë, 33 prej tyre drejtohen nga partitë e majta, ndërsa pjesa tjetër nga partitë e djathta. PD-ja ka drejtimin në KZAZ-të me numër çift, ndërsa ato me numër tek drejtohen nga PS-ja. Gjithashtu KQZ-ja pritet të miratojë edhe marrëveshjen me KKRT-në, që ka të bëjë në lidhje me monitorimin e medias vizive për pasqyrimin e aktiviteteve politike gjatë fushatës njëmujore elektorale. Pas shqyrtimit të kësaj marrëveshjeje pritet të pasohet me krijimin e Bordit të Monitorimit pranë KQZ-së.