E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga Lezhë-Milot, jashtë standardëve

Problemi i sigurisë rrugore

Aksidentet rrugore në Shqipëri tashmë janë shndërruar në një  një problem Kombëtar. Statistikat e aksidenteve janë rrëqethëse në 20 vite, kanë humbur jetën 6 mijë persona dhe janë lënduar 7 mijë të tjerë. Qarku i Lezhës renditet në qarqet me numrin më të lartë të aksidenteve automobilistike, me pasoja fatale, veçanërisht superstradat Lezhë-Tiranë dhe Lezhë-Shkodër. Numri më i lartë i aksidenteve shënohet në kryqëzimet e këtyre superstradave me rrugët dytësore.

Sipas ekspertëve një ndër shkaqet më kryesore të ndodhjes së aksidenteve është mos respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor. Megjithatë problemi nuk qëndron vetëm tek shoferët apo kalimtarët, problemi qëndron edhe tek vetë kushtet infrastrukturore të rrugëve që shpesh lënë për të dëshiruar. Pajisja me sinjalistikën e duhur rrugore në vendin e duhur, cilësia e ndërtimit të tyre, shërbimet e pastrimit nga ngricat shirat etj, janë elementë që në qoftë se do tju kushtohej pak më shumë rëndësi do të mund të ulnin ndjeshëm numrin e aksidenteve rrugore dhe rrjedhimisht të humbjeve të jetëve në rrugët që përshkojnë qarkun e Lezhës.

Rruga Lezhë - Milot

Problemi i sigurisë rrugore është kompleks, në të cilin gërshetohen një seri faktorësh që nga rrugët dhe siguria e tyre, nga kultura dhe aftësitë e atyre që drejtojnë mjetin, por edhe nga rendi që ndjekin ata që monitorojnë trafikun rrugor. Rrugët e Lezhës ndonëse janë ndërtuar vitet e fundit vuajnë për standardet e sigurisë, vuajnë për sinjalistikën e duhur apo edhe mungesën e ndriçimit.

Ndërkohë Banka Botërore përmirësimin e sigurisë rrugore në Shqipëri e cilëson si çelës të artë për parandalimin e aksidenteve automobiliztike. Realisht rrugët tona janë jashtë kushteve teknike. Sipas ekspertëve, korsia e rrugës nuk mund të jetë asnjëherë më e ngushtë se 2.5 metra dhe deri në 3.5 metra, duhet të jetë e vijëzuar me vija të bardha, diku të pandërprera ku nuk lejohet parakalimi. Rrugët duhet të jenë të pajisura me sinjalistikën e nevojshme si edhe me ndriçim rrugor, por këto standarde nuk konstatohen në segmentin Lezhë-Milot, pjesë e superstradës Lezhë-Tiranë, ku shënohet edhe numri më i lartë i aksidenteve. /L.Kokaj/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›