Afera e tankeve, humbjet 3.6 mln USD
Tanket shqiptare u shkëmbyen me 20 makina ushtrie, me një çmim prej 71 155 USD secila
Kontrata e nënshkruar nga ana e Pinarit me kompaninë “Hellenic Vehicle Industry S.A”, jep një humbje për palën shqiptare që shkon në 3.6 milionë dollarë. Kontrata nuk është realizuar kundrejt shitjes së tankeve në këmbim të parave, por është kryer me klering. Në këmbim të 30 mijë tonëve skrap, janë marrë 20 makina ushtrie, me një çmim prej 71.15 mijë dollarë secila.
Përsa i përket diferencës në këtë marrëveshje, që shkon në rreth 400 mijë USD, ajo parashikohet në kontratë që të kthehet në formën e parave cash. Për këtë pikë në kontratë përcaktohet se, në rast të shkëmbimit të sasisë së skrapit për çdo makinë, kompania “Hellenic Vehicle Industry S.A” duhej t’i kthente Ministrisë së Mbrojtjes një shumë prej 18 845 USD për makinë, në bankën në të cilën ishin parashikuar që të realizoheshin transaksionet.
Zbardhet kontrata e shitjes së tankeve shqiptare, transaksion që mban firmën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe drejtorit të kompanisë “MEICO”, Ylli Pinari. Kontrata e siguruar nga gazeta sqaron edhe kushtet në të cilat është zhvilluar kjo aferë, me një çmim që sipas burimeve të hetimit është tre herë më i ulët se ai që është aplikuar në bursa në kohën që është lidhur kjo kontratë. Në kontratë mbeten të mjegullta kushtet për çmimet e skrapit gjatë periudhës 1-vjeçare gjatë së cilës ai do të shkëmbehet me makinat e dhëna nga ana e kompanisë greke “Hellenic Vehicle Industry S.A”. Emri i blerësit të skrapit që ka firmosur për këtë kompani është Dimitrios Gugalis, që njihet njëkohësisht në këtë kontratë edhe si shitësi i makinave për Ushtrinë Shqiptare. Këto makina, që kanë një vlerë prej 1.42 milionë dollarë janë blerë në kushtet e mungesës së një tenderi, në një kohë që skrapi mund të shitej në çdo kohë dhe ditë në bursë me çmimin që ofrohet. Shitja e 30 mijë tonëve Metric në vitin 2003, me firmën e drejtorit të “MEICO”, Ylli Pinari, po hetohet nga prokuroria pas sekuestrimit të kontratës në zyrën e ish-drejtorit të kompanisë famëkeqe të shitjes së armëve në vend.
***
Sipas kontratës të firmosur nga ana e drejtorit të “MEICO”, Ylli Pinari, me kompaninë “Hellenic Vehicle Industry S.A” përcaktohet që të shitet një sasi prej 30 mijë tonësh skrap, me një çmim prej 60 dollarë për ton. Vlera totale e kësaj kontrate shkon në 1.8 milionë dollarë dhe për këtë shumë MEICO në emër të qeverisë shqiptare nuk ka arkëtuar asnjë lek, pasi shkëmbimi i skrapit të tankeve është bërë mall me mall, me makinat që në kontratë parashikohen që të kenë një vlerë totale prej 1.42 milionë dollarë. Përsa i përket diferencës në këtë marrëveshje, që shkon në rreth 400 mijë USD, ajo parashikohet në kontratë që të kthehet në formën e parave cash. Për këtë pikë në kontratë përcaktohet se në rast të shkëmbimit të sasisë së skrapit për çdo makinë, kompania “Hellenic Vehicle Industry S.A” duhej t’i kthente Ministrisë së Mbrojtjes një shumë prej 18 845 dollarë, në bankën në të cilën ishin parashikuar që të realizoheshin transaksionet. Por fati i 400 mijë dollarëve që dilnin si diferencë midis skrapit të shitur dhe makinave të blera mbetet një fakt tjetër për t’u hetuar nga prokuroria. Pasi në kontratë parashikohet gjithashtu që në të gjitha rastet kur numri i makinave të blera nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes kalon vlerën e skrapit të shitur, kompania ka të drejtë që të disbursojë fonde nga 400 mijë dollarët që janë shtesë në këtë kontratë nga ana e ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë.
Por jo vetëm kjo pjesë e kontratës që mbetet e errët, por edhe përsa i përket çmimit më të madh të skrapit në bursa, nuk parashikohet procedura që do të ndiqet. Në kontratë parashikohet që në të gjitha rastet e çmimeve më të larta dhe diferencës në këto blerje me klering, të konstatohet banka që ka dalë si garant për këtë transaksion, emri i të cilës nuk bëhet i ditur në kontratë. Referuar kontratës, shitja e skrapit në këmbim të makinave duhet që të realizohej brenda një periudhe 12-mujore.
***
Kontrata e nënshkruar për palën shqiptare nga Ylli Pinari dhe për kompaninë greke nga Dimitrios Gugalis, ka sjellë një humbje të drejtpërdrejtë, referuar çmimeve të skrapit në bursa, në rreth 3.6 milionë dollarë. Burime nga grupi i hetimit bëjnë të ditur se kontrata ka edhe pika të tjera ku janë konstatuar shkelje. Në pjesën në të cilën përcaktohet se si do të bëhet llogaritja e vlerës të kontratës së shitjes së skrapit, përcaktohet se ajo do të nxirret vetëm pasi tanket shqiptare të priten dhe të peshohen në pjesë. Në bazë të kësaj pike të kontratës përcaktohet se në këtë rast, të gjitha diferencat e mundshme në peshë të skrapit do të kompensohen në vlerë nga ana e palëve. Por humbja më e madhe në këtë kontratë, mbi të cilën tashmë po hetohet nga ana e prokurorisë pas sekuestrimit të saj, mbetet çmimi, i cili është disa herë më i ulët seç është regjistruar në bursa. Sipas kalkulimeve, vlera e skrapit të shitur në një sasi prej 30 mijë tonësh Metric shkon në rreth 5.4 milionë dollarë, ndërsa ai është shitur për një kontratë prej 1.8 milionë dollarë. Ndërsa përsa i përket çmimeve të makinave që janë shkëmbyer me klering për këtë sasi skrapi, nuk paraqitet në kontratë asnjë sqarim se si është zgjedhur kompania dhe në këse ka pasur ndonjë negociatë për këtë pagesë.
***
Sipas kontratës së bërë me firmën “Hellenic Vehicle Industry S.A” nga ana e Pinarit, kjo firmë ka të drejtë që të importojë tanket shqiptare vetëm kur ato janë të demoluara dhe çmontuara tërësisht. Për këtë proces përcaktohet në kontratë që tanket të çmontohen në çdo repart ushtarak të vendit, ku mund të realizohet procesi i demontimit. Të gjitha kostot e këtij procesi në këtë kontratë përcaktohet që të jenë pjesë e llogarisë së kompanisë “Hellenic Vehicle Industry S.A”, bashkë me koston e transportit. Hetimi për shitjen e armëve të aferave të lidhura me këtë trafik, tashmë është bërë objekt pune jo vetëm i Prokurorisë Shqiptare por edhe të agjencive të investigimit amerikan, njëkohësisht edhe të Kongresit Amerikan. Për shkak të shkeljes së të gjithë rregullave të sigurisë gjatë demontimit të armëve të kryera nga trafikantët, tashmë të shënjestruar nga organet e drejtësisë, erdhi edhe tragjedia e Gërdecit, më e madhja për nga përmasat në historinë e Ushtrisë Shqiptare.