E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtej demagogjisë

Skënder Minxhozi

Në këtë vend ka munguar rregullisht pala, ose më mirë palët që kanë qenë të gatshme të ulen në tryezën e rregullave. Sa herë që kjo nuk ndodhte, sa herë që ky vend ecte kuturu si anije pa timon, nëpër detin e trazuar të tensioneve politike dhe të gjuhës së urrejtjes së lidershipit politik, i atakonim politikanët tanë se pse nuk dinë të flasin e të merren vesh me njëri-tjetrin. Por ama, sa herë që kjo ndodhte ose ndodh, sërish hidhemi në zjarr në emër të gjithfarë teorive të konspiracionit, të cilat janë një modë e vjetër në këtë mjedis meskin dhe të pakulturuar. Nëse Sali Berisha dhe Edi Rama kanë vendosur që ta përdorin peshën politike të partive që drejtojnë, për të kryer disa reforma, kjo s'mund veçse të mirëpritet. Sepse në këtë zhurmnajë hipokrite që është ngritur rreth ndryshimit të Kushtetutës, nuk është e vështirë të kuptohet realiteti i thjeshtë i kontrabandimit të interesave personale, si interesa të vendit dhe demokracisë.
Nën petkun hileqar të mbrojtjes së sistemit, partitë e vogla, të cilat sot bëjnë zhurmën e madhe, po përpiqen në fakt të ruajnë vetveten. Një refleks mëse legjitim, deri në çastin kur nuk rreket t'ua shesë "rërën për farë" zgjedhësve shqiptarë, duke i ngopur me lugën e demagogjisë për kthimin e diktaturës së të mëdhenjve, apo për pazare të përbindshme që kushedi çfarë mynxyrash fshehin. Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur, përtej befasisë normale që ngjall për trurin shqiptar, ulja në një tryezë e dy krerëve tradicionalisht kundërshtarë. Ky lloj sugjestioni i shqiptarit të mesëm po përdoret sot, ai po fryhet, po hiperbolizohet dhe po manipulohet me qëllimin e vetëm që, akti normal i bashkëvendosjes së rregullave të lojës dhe i kryerjes së reformave të mëdha të shtetit, të shitet si skandal dhe si gjëmë e padëgjuar.
Ky transformizëm i pandershëm i atyre që në vitin 2002 një precedent të tillë identik e pranonin dhe e duartrokisnin, kurse sot e mallkojnë, është një dukuri e shëmtuar politike, njerëzore e sociale në këtë vend. Kush kujton se çfarë ndodhi në verën e atij viti, kur ne zgjodhëm presidentin dhe kryeprokurorin konsensual, do të kujtojë sesi gjithçka u zhvillua me të njëjtën mungesë transparence publike si tani. Lista pafund me emra kandidatësh për president, kulisa në zyrat e Kuvendit dhe në restorantet e shtrenjta të Tiranës, propozime nga më absurdet dhe ide nga më ekstravagante - ja çfarë ka qenë ajo stinë e shkurtër dashurie mes Nanos e Berishës, e cila kishte si sfond duartrokitësish shumë prej atyre që sot bërtasin në kupë të qiellit për tradhtinë që Edi Rama i bëri së majtës. Kryqëzatat referendare që po marrin jetë kundër marrëveshjes Berisha-Rama, zbulojnë në fakt se në këtë mes nuk ka ndonjë komplot të padëgjuar, por vetëm një prekje interesash partiake dhe personale të një pjese të spektrit tonë politik.
Shqipëria kishte nevojë urgjente të kryente një reformë të plotë zgjedhore, duke e lënë pas sistemin mazhoritar, që në kushtet tona pjell premisa për qeverisje të dobëta dhe për një spektër politik që ka formën e lëkurës së leopardit, me parti dhe partiza që rrojnë në mënyrë parazitare me paratë e këtij shteti të varfër. Kjo reformë e premtuar qysh të nesërmen e 3 korrikut nga fitimtarët, është përmbushja e një standardi, asgjë më tepër. Nesër do të jemi më të sigurt, se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë më devijim vote dhe se ata që votat i kanë, do t'i marrin. Ata që s'i kanë, mesa duket janë duke ngritur sot zërin dhe temperaturën e pjacës tonë politike. Por ky në fakt nuk është një problem edhe zgjedhor, sesa personal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›