Referendumi, një ide e gabuar
Genti iBrahimi
Nuk ka dyshim se konsultimi i drejtpërdrejtë i qytetarëve në lidhje me çështjet e amendimit të Kushtetutës është një opsion i ligjshëm. Është e qartë se amendimet kushtetuese të miratuara me shumicën e posaçme parlamentare (2/3 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit), pasi kanë hyrë në fuqi, mund t'i nënshtrohen referendumit, në qoftë se një gjë të tillë e kërkon 1/5 e gjithë anëtarëve të Kuvendit (28 syresh, logjikisht pjesa e deputetëve që kanë qenë kundër amendamenteve). Kjo e drejtë mund të ushtrohet brenda 15 ditësh nga hyrja në fuqi e amendamenteve. Në kushtet e mungesës së një rregullimi të posaçëm për hyrjen në fuqi të amendimeve kushtetuese, mund të themi se ligji për miratimin e ndryshimeve kushtetuese hyn në fuqi jo më herët se 15 ditë nga botimi në Fletoren Zyrtare.
Në kushtet kur mundësia juridike e referendumit për të ç'bërë ndryshimet e fundit të Kushtetutës është e hapur, diskutimi për dobinë e kësaj rruge nuk mund të jetë veçse në lëmin e shkencës politike, e cila ngërthehet në mënyrë të pazgjidhshme me proceset kushtetuese.
Besoj që në këtë pikë është e nevojshme një parantezë e shkurtër për të arritur në një përfundim të arsyeshëm në lidhje me thellësinë dhe cilësinë e ndryshimeve të fundit kushtetuese. Me fjalë të tjera, le të rrekemi t'i japim përgjigje pyetjes nëse ndryshimet e miratuara në 21 prill janë të tilla, që i hapin rrugën një republike të re apo janë modifikime të procedurave dhe institucioneve të së njëjtës republikë që e ka zanafillën në vitin 1998. Përgjigja e kësaj pyetjeje do të na mundësojë nxjerrjen e një përfundimi në lidhje me oportunitetin e referendumit si instrument për t'i miratuar amendamentet apo, siç po propozohet së fundmi nga LSI, për abrogimin e amendamenteve të miratuara tashmë.
Në thelb, Kushtetuta nuk është gjë tjetër veçse një pranim i idesë së kahershme, se vullneti i shumicës nuk është garanci absolute për drejtësi. Kushtetuta na siguron që disa rregulla, shumë themelore, të fiksohen përtej mundësisë së shumicave për t'i ndryshuar ato në përputhje me interesat politike të momentit. Kjo është arsyeja se pse procesi i rishikimit kushtetues vështirësohet deri në një pikë të caktuar. Eshtë jetike që kjo pikë e "thyerjes" të mos jetë as shumë e lehtë për t'u kapërcyer, por as e pamundur. Shoqëritë duhet të bëjnë një balancim delikat midis nevojës për stabilitet dhe asaj për fleksibilitet. Në qoftë se Kushtetuta mund të ndryshohet lehtë, atëherë parimet themelore e të paderogueshme, si p.sh. të drejtat e njeriut, do të ishin në rrezik të fshiheshin nga humoret e shumicës së momentit. Në qoftë se do të ishte tepër e vështirë të ndryshohej Kushtetuta, do të lindte rreziku i diferencës midis një dokumenti të vjetruar dhe një kulture politike në zhvillim të vazhdueshëm, që shpie drejt injorimit dhe diskreditimit të Kushtetutës. Klauzolat e amendimit janë një mundësi për gjeneratën aktuale, që të bëjë zgjedhje që gjykohen si të mençura, por i jep mundësinë edhe brezave të tjerë të mendojnë ndryshe. Vetë ekzistenca e këtyre klauzolave tregon besimin se Kushtetuta është një shpikje e njerëzve që kërkon përpunim të vazhdueshëm prej tyre. Këtij qëllimi i shërbejnë edhe klauzolat tona të rishikimit kushtetues, të cilat bëjnë të mundur ndryshimin e Kushtetutës, qoftë përmes një procesi parlamentar me konsensus të gjerë, qoftë përmes referendumit.
Dikur mendohej se Kushtetuta përmblidhte elementë të së drejtës natyrore dhe hyjnore (zoti ia dorëzon Kushtetutën sovranit/mbretit) dhe për këtë arsye njeriu nuk mund ta ndryshojë atë. Për këtë arsye procesi i amendimit ishte i vështirë dhe shpesh i dhunshëm. Në shekujt 18 dhe 19, shkollarët (kryesisht ata anglezë) e zbutën disi konceptin e origjinës divine të kushtetutave, duke pohuar se çdo kushtetutë përbëhet nga tri pjesë: pjesa e parë është e drejta e paderogueshme natyrore; e dyta është kontrata shoqërore mes qeverisësve dhe të qeverisurve (këtu futen elementë të tillë, si marrja e vendimeve me vullnetin e shumicës përmes një seti rregullash e procedurash të paracaktuara - sistemi zgjedhor), dhe e treta është konceptimi teknik i formës së qeverisjes, pushteteve të qeverisë, ndarjes së pushteteve etj. Në varësi të asaj që kërkohet të ndryshohet varet edhe vështirësia e procesit të amendimit dhe forma e legjitimimit të këtyre amendimeve (shumicë e posaçme parlamentare apo referendum). Në këtë pikë jemi qartësisht në lëmin e teorisë politike.
Duhet theksuar se amendimi kushtetues nuk është i njëjtë me ndryshimin e Kushtetutës. Amendim do të thotë përmirësim i zgjidhjeve ekzistuese në funksion të parimeve ekzistuese. Ndryshim të rendit kushtetues kemi vetëm në përfundim të ngjarjeve shoqërore sizmike, siç ishte p.sh. shkëputja nga komunizmi. Kështu p.sh. nuk mund të thuhet se kalimi nga parimi i unitetit të pushtetit që qëndronte në themel të doktrinës kushtetuese komuniste në parimin modern të ndarjes dhe balancimit të pushteteve ishte rezultat i një procesi amendues. Qartësisht, këtu është fjala për ndryshim regjimi. Nga ana tjetër, ndryshimi i sistemit zgjedhor, p.sh, është një përpjekje për t'i shërbyer më mirë qëllimit të përhershëm të një sistemi demokratik për përfaqësim më të mirë politik të qytetarëve.
Pavarësisht nga deklaratat eksesive të Kryeministrit për një kushtetutë të re, unë e ftoj lexuesin që të bëjë vetë një klasifikim, duke i vendosur ndërhyrjet e fundit në Kushtetutë në familjen e amendamenteve apo në atë të ndryshimit të regjimit kushtetues. Besoj se jam në një mendje me shumëkënd nëse pohoj që jemi përpara amendimeve të tilla, që John Locke do t'i fuste në pjesën e dytë dhe të tretë të Kushtetutës (përkatësisht kontrata shoqërore dhe konceptimi teknik i formës së qeverisjes).
Ky diskutim në lidhje me natyrën e ndërhyrjes në Kushtetutë më sjell natyrshëm tek çështja qendrore e këtij artikulli, ose e thënë ndryshe te diskutimi nëse referendumi (qoftë për miratimin e amendamenteve, qoftë për shfuqizimin e tyre) është instrumenti i duhur juridik për sanksionimin e ndryshimeve apo rrëzimin e tyre.
Duke qenë personalisht një ndër oponentët më vokalë të disa prej amendamenteve (kryesisht atyre që kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit), nuk besoj se jam kontradiktor nëse them që opsioni referendar për ç'bërjen e tyre nuk është zgjidhja më e mirë për një sërë arsyesh.
Kështu, së pari, në linjë me dallimin e bërë më sipër midis amendimeve kushtetuese dhe ndryshimit të regjimit kushtetues, do të thosha se paralelizmi që bëhet midis mënyrës sesi u miratua Kushtetuta e '98 (me referendum) dhe mënyrës sesi u miratuan amendamentet e prillit 2008, në një përpjekje për të justifikuar referendumin, nuk është me vend. Kujtoj se në rastin e parë kishim të bënim me një kushtetutë të re, që i dha jetë një republike të re. Ndërsa në rastin e dytë ndërhyrjet (ndonëse ajo e Presidentit është qartësisht inkoherente me logjikën bazë të Kushtetutës), kualifikohen qartësisht si amendamente të konceptimit teknik të organizimit të qeverisjes.
Së dyti, pavarësisht popullaritetit të idesë së referendumit (e kush guxon të shprehet kundër idesë së konsultimit të drejtpërdrejtë të sovranit), do desha të kujtoj se demokracia e drejtpërdrejtë në formën e referendumeve ekziston vetëm si plotësim i demokracisë përfaqësuese, të cilën jemi mësuar ta shikojmë në formën e një parlamenti që merr vendimet më të rëndësishme në lidhje me jetën e shoqërisë. Në përgjithësi referendumet janë ngjarje të rralla në jetën politike të demokracive moderne (me përjashtimin e Zvicrës). Kjo gjendje është rezultat jo vetëm i doktrinës kushtetuese prevaluese në Perëndim, por edhe i përvojës së historisë moderne, e cila është e mbushur me episode të keqpërdorimit të referendumeve nga regjimet totalitare. Eshtë e vërtetë se ky institucion (referendumi) ka pasur një farë gjallërimi në Evropë me rastin e miratimit të traktateve të Bashkimit Evropian nga vendet anëtare, por sidoqoftë instrumenti mbetet qartësisht përjashtimor në jetën e brendshme politike e institucionale. Kuptimi ynë bazë për demokracinë ka qenë dhe mbetet ai i demokracisë përfaqësuese parlamentare, ku konsultimi i shoqërisë përmes referendumit kushtetues është një plotësim i nevojshëm, por përjashtimor. Si i tillë, referendumi kushtetues duhet të përdoret vetëm në rastet kur ndërhyrjet e propozuara në Kushtetutë i ngjajnë ndryshimit të regjimit kushtetues, siç u shpjegua më lart.
Së treti, pavarësisht se referendumi mund të duket si një "dush" demokracie, e vërteta është se ka shumë politikë në një referendum. Përveç argumentit të përhershëm që referendumi kushtetues dobëson demokracinë përfaqësuese si formën bazë të qeverisjes demokratike, është gjithashtu e vërtetë se shpesh nën maskën e një interesi suprem publik (vetëm një interes i tillë do të justifikonte një referendum kushtetues) fshihet një interes politik i momentit, i përkrahur nga një pjesë e spektrit politik.
Së katërti, politika kushtetuese është një çështje tejet e komplikuar për të shpresuar me një farë realizmi se qytetari mesatar do të marrë një vendim të pjekur dhe do të votojë i motivuar pikërisht nga problemi kushtetues dhe jo i ndikuar nga çështje të tjera pa lidhje, si p.sh. gjendja ekonomike, popullariteti i qeverisë në momentin kur votohet etj.
Së fundmi, është edhe çështja e teknikës së formulimit të çështjeve që shtrohen për referendum. Ky është një moment delikat që mund të abuzohet lehtë duke e keqpërdorur referendumin, jo si instrument në favor të demokracisë, por si mjet për avancimin e një axhende të caktuar politike.
Në qoftë se t'i shtoja këtyre argumenteve teorikë edhe disa konsiderata praktike në lidhje me shanset që ka sot një referendum për shfuqizimin e amendamenteve të sapomiratuara (e kam fjalën për faktin që numri i deputetëve që kanë vendosur ndryshimet në Kushtetutë është i tillë, që përjashton mundësinë e mobilizimit të 28 votave për kërkimin e referendumit dhe faktin tjetër që referendumi do të quhej i suksesshëm vetëm nëse 51% e të gjithë votuesve - jo 51% e atyre që shkojnë të votojnë, pra një shumicë tepër e lartë - votojnë pro alternativës së shtruar në referendum), nuk do ishte e vështirë të arrija në përfundimin se referendumi i propozuar nuk do të ishte veçse një fushatë politike në ndjekje të interesave të një krahu politik pa asnjë shans real për të ndryshuar gjë.
Me keqardhje më duhet të them se një referendum i tillë nuk i shërben askujt.