E Diel, 1 Nëntor 2026

Paskajorja & Pjesorja

Edmond Tupja 

Paskajorja, i dashur lexues disi i shqetësuar nga kjo fjalë që ti nuk e njeh ose e ke ditur, kur shkoje në shkollë, por sot duket se e ke harruar, paskajorja, pra, është, në gramatikën shqipe, një kohë e pashtjelluar e foljes, e cila shpreh një veprim a gjendje në mënyrë të përgjithshme; kështu e përkufizon, të paktën, "Fjalori i gjuhës shqipe" i vitit 2006; për shembull, folja "kaloj" në paskajoren e të folmes së Shqipërisë së Jugut, pra, të shqipes standarde, zyrtare, bën "për të kaluar" ose, në të folmen e Shqipërisë së Mesme e të Veriut, "me kalu(e)". Po kështu edhe pjesorja, e cila, sipas të njëjtit fjalor, është një trajtë e pashtjelluar e foljes, për shembull: "kaluar" / "kalu(e)".
E fillova kështu këtë shkrim për një arsye fare të thjeshtë: parmbrëmë, ndoqa emisionin "Fakt" të Ndriçim Pekës në NTV, ku kryetari i LSI-së, zoti Meta, tejet i shqetësuar për fatet e demokracisë e të popullit shqiptar, parashtroi qartë e prerazi pikëpamjet e veta lidhur me "aleancën" Berisha-Rama për të ndryshuar dy nene të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, d.m.th., sipas tij, 99% të këtij ligji themeltar të shtetit shqiptar; më tërhoqi vëmendjen përdorimi i herëpashershëm, nga zoti Meta, i paskajores (tip "me kalu(e)") dhe i pjesores (tip "kalu(e)") karakteristike pikërisht për të folmen e Shqipërisë së Mesme ku ka lindur zoti Rama, dhe të Shqipërisë së Veriut ku ka lindur zoti Berisha, në vend të paskajores (tip "për të kaluar") dhe i pjesores (tip "kaluar") karakteristike pikërisht për shqipen standarde, zyrtare, pra, edhe për të folmen e Shqipërisë së Jugut ku ka lindur zoti Meta.
Sipas mendimit tim, ky është i vetmi lëshim, thjesht gjuhësor, që zoti Meta u bëri dy zotërinjve në fjalë. Lëshim, sepse ende sot, zoti Berisha përdor jo rrallë si paskajoren edhe pjesoren e vendlindjes; po kështu, tek-tuk edhe zoti Rama. Kurse, nga tërë anët e tjera, doli qartë që një hendek jo i cekët e ndan zotin Meta nga zoti Rama, kurse nga zoti Berisha e ndan një humnerë e tërë. Them "një humnerë e tërë", madje e frikshme, sepse zoti Meta disa herë përmendi krimet që paska kryer zoti Berisha, madje, në një moment të caktuar, pata ndjesinë që mungonte vetëm thirrja për krijimin e një gjykate speciale në Hagë për të gjykuar zotin Berisha.
Ndershmërisht, unë përpiqem ta kuptoj zotin Meta dhe, vende-vende, ashtu si Ndriçim Peka, i jap të drejtë për shqetësimet që ngre. Por do të dëshiroja që zoti Meta, si kryetar i një partie që realisht (bashkë me PBDNJ-në dhe, ndoshta, me monarkistët e republikanët shqiptarë) mund të përbëjnë nesër një pol të tretë të politikës shqiptare, të tregohej më pak i sertë në ligjërimin e tij. Përvoja politike e djeshme dhe e sotme në shkallë planetare tregon se filozofi frëng Voltaire kishte të drejtë kur shprehej, në shekullin XVIII, se të bësh politikë do të thotë të sillesh me armiqtë duke menduar se një ditë mund të të duhet të hysh në negociata me ta, dhe me miqtë duke menduar se një ditë ata mund të të bëjnë gjëmën.
Për ta mbyllur, le t'i kthehemi edhe një herë paskajores dhe pjesores. Po t'i bësh një analizë morfologjike fjalës "paskajore", vëren se ajo ka për rrënjë fjalën "skaj", që në këtë rast, paraprihet nga pjesëza mohuese "pa"; këtë e tregon qartë edhe prova e përkthimit: në frëngjishte kemi "infinitif" dhe në italishte "infinitivo", d.m.th. pa fund, pa skaj, pra "paskajore"; çka, në gjuhën e politikës më ngjan se përkthehet kështu: pa skaj, pa fund, janë të papriturat në fushën e aleancave politike kudo në botën e sotme, por sidomos në Shqipëri, pa skaj, pa fund mund të jenë edhe shpresat, por edhe zhgënjimet, edhe ëndrrat, por edhe zhgjëndrat që ato sjellin për popujt, sidomos për popullin shqiptar, sepse, në shumicën e kohës, politika na shfaqet si arti i të mashtruarit të njerëzve, siç shprehej, po në shekullin XVIII, D'Alembert-i, një tjetër filozof frëng. Gjithsesi, për fat të mirë, pjesorja vjen e i rregullon ca gjëra duke na mësuar se, ngaqë nuk mund ta kemi tërë pushtetin e dëshiruar, duhet të kënaqemi me një pjesë të tij, edhe kur kjo pjesë nuk është pjesa e luanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›