Afera shqiptare në arrestimin e Diverolit
WASHINGTON- Presidenti 22-vjeçar i kompanisë së armëve AEY dhe tre bashkëpunëtorë të tij u akuzuan të premten për shitjen e municioneve të ndaluara Pentagonit, në projektin për mbështetjen e ushtrisë afgane në luftën e saj kundër talebanëve. Gjykata Federale në Majemi e ka akuzuar tregtarin e municioneve, Efraim Diveroli, si dhe dy ish-vartësit e tij dhe një bashkëpunëtor në biznes për mashtrim në prezantimin e municioneve që ata i shitën Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, si pjesë e një kontrate prej 298 milionë dollarësh. Sipas padisë së ngritur, Diverolidhe kolegët e tij kanë shtuar në mënyrë të padrejtë përfitimet e tyre, duke dërguar me anije në Afganistan fishekë kinezë, por duke i deklaruar ato si shqiptarë. Kontrata e firmosur prej tyre me Ushtrinë si dhe ligjet amerikane e ndalojnë tregtinë e armëve kineze.
***
Një avokat i Diverolit në Majemi, Howard Srebnick ka hedhur poshtë akuzat me anë të një e-maili, duke thënë se ndalesa në ligjin amerikan aplikohet vetëm për armët kineze të blera pas vitit 1989, si përgjigje për masat e ndërmarra kundër protestuesve në sheshin Tiananmen, ndërkohë që kompania e drejtuar prej Diverolitka blerë në Shqipëri municion të prodhuar në Kinë mes viteve 1960-1970. Akuzat vijnë pas një hetimi federal që filloi vitin e kaluar dhe që zbuloi se me paratë e qeverisë amerikane janë blerë fishekë kinezë në Shqipëri, për të furnizuar ushtrinë afgane. Në mars të këtij viti, Ushtria Amerikane pezulloi kompaninë e Diverolit nga kontratat e ardhshme, pasi u vërtetua se ai kishte dërguar disa anije me fishekë kinezë në Afganistan, duke pohuar se ato ishin prodhuar në Hungari. Një muaj më pas, Departamenti i Shtetit pezulloi gjithë aktivitetin në eksporte të kompanisë, duke bllokuar gjithë biznesin. “Ky është një zhvillim për të kthjelluar çështjen. Sa më shumë mësojmë rreth kompanisë AEY, aq më shumë pyetje kemi”,-pohoi Henry Waxman, demokrati që drejton Komitetin qeveritar të reformave. Para se akuzat të bëheshin publike, ky komitet kishte pohuar se do të bëhej një seancë dëgjimore të martën e ardhshme, rreth aktivitetit të AEY-së.