Emigrantët nga Greqia, levizje e lirë për pushimet verore
Në doganat kufitare të Qarkut të Gjirokastrës kanë nisur të mbërijnë emigrantët e parë shqiptarë të cilët do ti kalojnë pushimet e kësaj vere në vendlindje. Një vendim i qeverisë greke iu krijon mundësinë emigrantëve të lëvizin lirshëm në të dyja anët e kufirit shqiptaro-grek gjatë periudhës 20 qershor-30 shtator 2008 edhe në rastin kur atyre iu është mbaruar lejeqëndrimi por mjafton të vërtetojnë se janë në pritjes të ripërtëritjes së dokumentave nga ana e policisë greke. Sipas burimeve policore këtë fundjavë në stacionet e Policisë Kufitare të Kakavijes (Gjirokastër), Çarçovës (Përmet) etj është konstatuar një rritje e fluksit të këmbësorëve dhe automjeteve që hyjnë në Shqipëri krahasuar me ditët normale. “Në javët në vazhdim fluksi i hyrjeve nga Greqia në drejtim të Shqipërisë do të llogaritet rreth 3 mijë persona në ditë”, thonë burimet policore. Nisur edhe nga përvoja e viteve të kaluara efektivat e policisë presin që ky fluks të rritet ndjeshëm gjatë ditëve të para të muajit korrik. Ndërkohë efektivat e Drejtorisë Rajonale të Kufirit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë marrë të gjitha masat për të shmangur problemet që mund të ndeshin emigrantët gjatë udhëtimit të tyre në drejtim të vendlidnjes."Një plan i veçantë operacional i përgatitur nga të dyja drejtoritë si edhe një kontakt i vazhdueshëm me policinë greke gjatë kësaj periudhe synon që emigrantët shqiptarë të mos ndeshin probleme në të dyja anët e kufirit shqiptaro-grek gjatë lëvizjes së tyre për pushimet verore”, thonë drejtuesit e Policisë Kufitare në Gjirokastër.