E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afganistan, 15 të vrarë nga shpërthimi i bombave

Katërmbëdhjetë civilë afganë, 11 prej të cilëve anëtarë të së njëjtës familje dhe një ushtar amerikan janë vrarë dje nga disa bomba në rajonin e paqëndrueshëm të Afganistanit Jugor, njoftuan sot autoritetet lokale dhe ushtria amerikane, një javë përpara zgjedhjeve. Një nga bombat shpërtheu në çastin e kalimit të një minibusi në provincën Helmand, duke vrarë 11 anëtarë të së njëjtës familje, bëri të ditur zëdhënësi i provincës Daud Ahmadi. "Vetëm një vajzë e vogël rreth 6 vjeçe shpëtoi gjallë", shtoi ai.
Në provincën fqinje Kandahar, një bombë tjetër shërtheu duke shkaktuar vdekjen e tre fëmijëve të cilët po luanin, njoftoi shefi i policisë së provincës Mohamad Shah Khan. "Ishin djem të moshës gjashtë deri 11 vjeç", shtoi ai. Po në jug, një ushtar amerikan u vra nga shpërthimi i një bombe artizanale gjatë kalimit të autokolonës së tij, bëri të ditur forca e NATO-s në Afganistan përmes një komunikate.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›