A/H1N1, ISHP: S'ka raste të reja, shtohet numri i të dyshuarve

Arrin në mbi 50 numri i mostrave të marra nga e hëna deri tani për raste të dyshuar me grip derrash. Në buletinin epidemiologjik Instituti i Shëndetit Publik bën të ditur se deri më 12 gusht numri i mostrave të mbledhura ka arritur në 374 nga 336 që kanë qenë më 9 gusht. Megjithatë përveç tre mostrave të dyshuara që janë dërguar për konfirmim në Rumani dhe 12 rasteve tashmë të njohura, nuk është konfirmuar asnjë rast tjetër i ri me A/H1N1. Sa i takon mbledhjes së mostrave, numri më i madh i tyre është marrë në spitalin infektiv në QSUT, bëhen fjalë për 175 mostra analizash, dhe 57 të tjera janë mbledhur në spitalin pediatrik në kryeqytet. Pra vërehet se numri më i madh i mostrave i përket kategorisë së të rriturve, e kryesisht grup moshës 25-44. Sipas buletinit epidemiologjik, në vendet ku ka patur shpërthime epidemike si edhe një numër të madh rastesh nga Gripi Pandemik A(H1N1) nuk vihet re kapërcimi i pragut të epidemisë.