Afganistan/ Bombë në një dasmë, 40 viktima
Të paktën 40 persona kanë vdekur dhe 77 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi vetëvrasës që u regjistrua gjatë një ceremonie martesore në jug të Afganistanit, bëjnë të ditur burimet policore në veri të Kandaharit. Mediat saktësojnë se një kamikaz ka hyrë në festë ku qindra njerëz ishin ulur dhe ka hedhur veten në erë. Në krahinën e Kandaharit, trupat ndërkombëtare po fokusohen që në muajt e ardhshëm të ndërmarrin një ofensivë për të luftuar talebanët. Shumë nga të plagosurit, janë dërguar në spitalin e Kandaharit. E ndërsa talebanët janë përgjegjës për shumicën e rasteve të vdekjeve ndër civilët, edhe trupat e huaja kanë vrarë qindra civilë, dhe këto vrasje janë justifikuar me faktin se janë ngatërruar me rebelët apo si rezultat i ndonjë sulmi të adresuar gabim. Talebanët në atentatet e tyre përdorin shpesh sulmet kamikaze, veçanërisht ato të mbajtjes në trup të brezave dhe jelekëve me materiale eksplozive. Dasma besohet se ishte ceremonia e një polici afgan.