SHBA kërkon zgjidhjen e konfliktit të Gazës
Presidenti amerikan Barack Obama kërkoi zgjidhjen e konfliktit të Gazës. "Duhet të ketë një rrugë e cila do të mundësonte furnizimin më të mirë të popullsisë palestineze në Rripin e Gazës pa rrezikuar sigurinë e Izraelit", tha ai pas një takimi me presidentin e autoritetit palestinez Mahmud Abaz në Uashington. "Ne mendojmë se ka rrugë ku mund të përqëndrohemi më shumë me pengimin e furnizimit me armë në vend, se sa të bllokohet menjëherë gjithçka", tha Obama. Shefi i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi një paketë ndihmash për popullsinë civile palestineze në vlerë prej 400 milionë dollarësh. Ndërkohë Izraeli paralajmëroi një zbutje të lehtë të embargos kundër Rripit të Gazës. Pijet dhe mallra të caktuara ushqimore nga java e ardhshme mund të transportohen sërish për në rajonet palestineze të kontrolluara nga Hamasi radikal-islamist. Presidenti amerikan, Barak Obama deklaroi se SHBA do të kontribuoje me anë të një shume financiare të konsiderueshme, si dhe do të punojë me Izraelin për heqjen e embargos ndaj territoreve palestineze. "Në kuptojmë dhe pranojmë të drejtën e Izraelit për të ndalur furnizimin e Gazas me armë, por mekanizma të reja duhet të aktivizohen për të lejuar mbërritjen e ndihmave dhe të mirave materiale për palestinezët e Gazas, pa qënë nevoja e shkaktimit të një tjetër incidenti",saktësoi Obama. Presidenti amerikan përsëriti se e vetmja zgjidhje për një paqe të qëndrueshme në rajon mbetet krijimi i një shteti palestinez, krah për krah me një Izrael të sigurtë.