E Diel, 1 Nëntor 2026

Afganistan, hetime për vrasjen e 10 zyrtarëve të shëndetësisë

Zyrtarët afganë dhe ata ndërkombëtarë po hetojnë vrasjet e dhjetë zyrtarëve të shëndetësisë, tetë nga të cilët ishin të huaj. Ata u vranë gjatë një sulmi, përgjegjësinë e të cilit e kanë marrë talebanët.
Tre femra janë në mesin e viktimave. Burimet zyrtare njoftojnë se në mesin e mjekëve të vrarë është dhe Dr.Tom Litle nga Shtetet e Bashkuara, i cili për 30 vjetë ka jetuar në Afganistan.
Mjekët ishin në mision në rajonin e Nuristanit nën organizimin e një organizate joqeveritare të krishterë.
Zëdhënësi I talebanëve, Zabiullah Muxhahid, i ka deklaruar agjencive të lajmeve se punonjësit e huaj janë vrarë pasi "po spiunonin për amerikanët" dhe po përpiqeshin të konvertonin myslimanët në të krishterë.
Organizata Misioni Ndërkombëtar i Ndihmës tha se vullnetarët e saj nuk flasin me popullsinë afgane rreth besimit fetar.
Ndërkohë pesë ushtarë të NATO-s janë vrarë në jug të Afganistanit gjatë 24 orëve të fundit. Dy nga të vrarët janë amerikanë, të cilët humbën jetën gjatë një sulmi të kryengritësve. Dy ushtarët danezë u vranë nga një bombë, kurse ushtari i pestë, kombësia e të cilit nuk bëhet publike është vrarë nga një bombë artizanale.
Numri i ushtarëve të vrarë në Afganistan gjatë këtij viti ka shkuar në 422.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›