Afganistan, sulm mbi ushtarët amerikanë
14/06/2005 Në Afganistan ka patur një sulm me bombë mbi një autokolonë makinash ushtarake amerikane në jug të vendit. Shpërthimi ndodhi jashtë qytetit të Kandaharit. Ushtria amerikane tha se gjatë sulmit janë plagosur katër ushtarë të saj. Një zëdhënës i hodhi poshtë njoftimet e mëhershme të policisë afgane për viktima në rradhët e ushtarëve amerikanë. Policia i ka thënë BBC-së se sulmi ishte i tipit vetëvrasës. Kohët e fundit ka pasur një seri sulmesh mbi forcat e koalicionit ushtarak të drejtuar nga amerikanët në jug të Afganistanit. Për këto sulme janë fajësuar pjesëtarë të talebanëve.