E Hënë, 2 Nëntor 2026

Jakov Milaj dhe mitologjia e «racës»

14/06/2005  Libri i Jakov Milajt «Raca shqiptare» është një doracak tipik i teorive raciste të zbatuara mbi shqiptarët. Termat, nocionet dhe tezat karakteristike të racizmit që përdoren këtu, janë marrë nga përfaqësuesit kryesor të racizmit evropian

Muhamedin Kullashi*

Libri “Raca shqiptare” e Jakov Milaj është një doracak tipik i teorive raciste të zbatuara mbi shqiptarët. Termat, nocionet dhe tezat karakteristike të racizmit që përdoren këtu, janë marrë nga përfaqësuesit kryesorë të racizmit evropian: A.Gobineau, “të atit të doktrinës së racizmit që pati ndikim të madh, sidomos ndër gjermanë”, Eugen Fischer “ndër më të mëdhenjve eksponentë të racizmit gjenetik”, F.Gall, A.Ghigi, Guenther, G.V.De Lapouge (për të cilin “nocioni i racës është i rendit zoologjik, vetëm zoologjik”), G.Landra etj. Milaj riprodhon në këtë libër, të shkruar në vitin 1944, horizontin e Luftës së Dytë Botërore të përcaktuar me tema e ideologji raciste.

Në parathënie ai paralajmëron “një studim antropologjik e historik”, sado që pranon se nuk është as antropolog, as historian. Ai mbron tezën, të përvetësuar nga autorët e përmendur, se e kaluara dhe e ardhmja e një populli varen nga “fuqitë biologjike” dhe se “raca sipas mendimit të të gjithë biologëve, përcakton prirjet shpirtërore të një populli, kanalizon dëshirat e mendimit, rregullon pa e kuptuar jetën e individëve, qoftë në pjesën vetiake, qoftë në marrëdhënie me shoqi-shoqin”. (f.5)

Të përkujtojmë këtu se termi i racizmit është paraqitur në Evropë në periudhën midis dy Luftërave Botërore, sado që idetë dhe praktikat me të cilat ai lidhet janë shumë më të moçme dhe janë të pranishme edhe në kontinente të tjera. Racizmi, në kuptimin më të saktë të fjalës, si ide e një dallimi të regjistruar brenda vetë natyrës së grupeve njerëzore, brenda karakteristikave të tyre fizike, nis të përhapet nga fundi i shekullit të XVIII dhe XIX. Kjo është kohë e “racizmit klasik”, kur “raca”, që emërton lidhjet midis atributeve biologjike e natyrore me ato kulturore, bëhet objekt i teorive me pretendim shkencor. Teoritë mbi “racat” bëjnë klasifikimin e racave, në fillim, kryesisht mbi atribute fenotipike (ngjyra e lëkurës, e flokëve, trajta e kafkës), pastaj me tipare të skeletit, e më vonë edhe me ato kulturore, që shpjegohen të kushtëzuara nga të parat.

Ideologjia dhe praktika

Racizmi gjerman pati mobilizuar që në vitet ‘30, shkencëtarë të të gjitha fushave (shkencore-natyrore e shoqërore) që të vihen në shërbim të konstruktimit të superioritetit të racës arjane-gjermane. Klasifikimi i popujve në “raca” bëhet me qëllim të vendosjes së një hierarkie të “racave”, superioritetit të disave dhe inferioritetit të të tjerave. Teoritë racore të nacionalizmit gjerman shërbyen si mbështetje ideologjike për shfarosjen sistematike të miliona njerëzve, që përcaktoheshin si pjesëtarë të “racave” inferiore. Kjo përvojë historike bëri që ideologjitë racore të komprometohen thellësisht.

Pas Luftës së Dytë Botërore nuk u zhdukën plotësisht teoritë racore e racizmi, por ato u delegjitimuan radikalisht. Ndërkohë u botuan studime të shumta shkencore, që ndikuan në demistifikimin e ideologjive raciste.

Milaj zbaton mbi shqiptarët tezat tipike të ideologjisë raciste. Ai citon nga “Ese mbi pabarazinë e racave njerëzore” të Gobineausë, përfundimin e prerë: “Shqiptarët janë arjanë me gjak e gjuhë dhe kanë shenja të veçanta që i dallojnë mirë prej të gjithë popujve të tjerë të botës” (fq.40). Milaj, në sajë të literaturës klasike të racizmit, thekson se “populli arbëror ka një origjinë të vetme e të përbashkët” dhe cek nevojën “për një politikë shoqërore që të synojë fuqizimin fizik të racës shqiptare”. Pak më tutje shton se, “me njëri-tjetrin nuk na lidh vetëm gjuha e historia, por edhe gjaku, e prandaj kemi trajta trupore e veçori shpirtërore të përbashkëta”. Në parathënie, ku rezymon rezultatet e hulumtimit të vet, cek jo vetëm dallimin, por edhe superioritetin e “racës” shqiptare ndaj “racave” të tjera të kontinentit evropian: “Në Shqipëri kemi vetëm racën ilirike ose dinarike të çmuar prej racistëve më orthodoksë si një nga racat më të larta, më të gjalla e me shpirt të pajisur me cilësi të zgjedhura” (fq.6). Ai ndan me ideologët e tjerë të racizmit brengën për “pastërtinë e racës së shqiptarëve” (f.17). Duke shqyrtuar programin dhe masat e Gjermanisë naziste për të rikthyer “pastërtinë e racës gjermane”, Milaj nuk bën asnjë vërejtje ndaj kësaj politike shfarosëse, veç konstatimit se nuk është e sigurt se do të përfundojë me sukses (f.21).

Për përcaktimin e origjinës, veçantisë dhe superioritetit të “racës” shqiptare, Milaj mbështetet edhe në hulumtimet antropometrike të përfaqësuesve kryesorë të racizmit. Vend i veçantë i kushtohet hulumtimeve mbi ngjyrën e lëkurës, ngjyrën e syve dhe flokëve, gjakun dhe tregonjësit çefalik si dhe problemit të trashëgimisë gjenetike dhe ligjeve të saj. Valorizohet edhe frenologjia, që pretendon të shpjegojë karakteristikat psikike të një personi, duke u nisur nga ndërtimi i kafkës së tij.

Mjerimi teorik i teorive racore

Në përfundim, theksohet superioriteti i “racës” shqiptare, mbi gjithë të tjerat, e veçanërisht “pastërtia e gjakut të saj, bukuria e saj plastike dhe virtytet e rralla shpirtërore” (fq.187).

Për dallim nga teoritë religjioze ose filozofike që mbështesin idenë e unitetit të gjinisë njerëzore, e cila nuk përjashton specifikat kulturore, teoritë racore bëjnë klasifikimin e njerëzimit në “raca” superiore e inferiore, që kanë dalë nga origjina të ndryshme (poligjenizmi). Dija e mirëfilltë e shkencave shoqërore ka vënë në dukje, që moti, mjerimin teorik të teorive racore, si edhe dëmin që ato i kanë shkaktuar dhe i shkaktojnë qytetërimit e kulturës. Edhe hulumtimet shkencore-natyrore kanë nxjerrë në shesh mungesën e çfarëdo mbështetje racionale për “racat”. Kështu, François Jacob, nobelist i mjekësisë (1965) shkruan: “Koncepti i racës ka humbur çfarëdo vlere operative dhe nuk bën asgjë tjetër veçse të ngurtëzojë vizionin tonë mbi realitetin, që është vazhdimisht në lëvizje; mekanizmi i bartjes së jetës është i tillë saqë çdo individ është unik, se individët nuk mund të jenë të hierarkizuar, se e vetmja begati është ajo kolektive: ajo përbëhet nga diversiteti. Gjithçka tjetër s’është tjetër veçse ideologji” (Logjika e të gjallës. Historia e trashëgimisë, Gallimard, 1970).

Hulumtimet e gjeneticientëve, në veçanti, kanë rrënuar çdo bazë për nocionin e racës, duke vënë në pah se koncepti i racës nuk ka asnjë kuptim nga pikëshikimi i disiplinës së tyre, ngase në gjirin e një race të supozuar, distanca gjenetike e mesme midis individëve është pak a shumë e njëjtë, madje, superiore ndaj asaj që i ndanë dy ‘raca’ të supozuara”. Për A.Piazza, “raca” është koncept pa bazë biologjike, e për A.Jacquard “fjala ‘racë’ nuk ka praktikisht asnjë përmbajtje”.

Pa i përmendur, këtu, implikimet që dalin nga ribotimi i veprës së Milajt për mjedisin tonë, do theksoja, në fund, se është urgjente që në gjuhën shqipe të përkthehet, nga literatura e begatshme botërore, së paku një libër i mirë që zhvillon analizën kritike të teorive racore dhe pasojave të tyre për çdo kulturë.

*Autori është profesor në

Universitetin e Sorbonës, Paris

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›