E Hënë, 2 Nëntor 2026

Afganistan, vriten dy këshilltarë të NATO brenda Ministrisë së Brendshme

Një lajm i publikuar nga agjencia e lajmeve BBC, ka bërë të ditur se dy këshilltarë të NATO-s janë vrarë sot në Kabul të Afganistanit. Nga të njejtat burime, mësohet se dy këshilltarët janë vrarë brenda Ministrisë së Brendshme. Vrasja e tyre ka ndodhur pas një përplasjeje verbale, ndërsa mësohet se dy këshilltarët e vrarë janë amerikanë. Ndërkohë që qindra banorë të Afganistanit të zemëruar për shkak të raporteve për djegien e Librit të Shenjtë Kuranit, në një bazë amerikane në Afganistan, për të pestën ditë me radhë kanë mbajtur protesta kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Protesta ka pasur në provincat Logar, Laghman, Nangarhar dhe Sari Pul. Në Laghman protestuesit janë përpjekur ta shkatërrojnë shtëpinë e guvernatorit. Shefi i policisë në këtë provincë, Abdul Rahman Sarjang, tha se afro 1 mijë protestues ishin tubuar në një demonstratë të qetë, por shumë shpejt pjesëmarrësit kishin filluar të gjuajnë me gurë kundër policisë dhe pastaj ishin përpjekur të sulmojnë shtëpinë e guvernatorit. Raportet flasin se Libri i Shenjtë Kurani, ishte djegur në bazën ajrore amerikan në Bagram, dhe ka shkaktuar protesta, në të cilat prej 21 shkurtit janë vrarë së paku 21 vetë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›