Afganistan, zgjedhjet shtyhen në shtator
Komisioni Zgjedhor i Pavarur në Afganistan ka shtyrë votimin për parlamentin e ri të parashikuara për në muajin maj.
Ato tashmë do të zhvillohen në shtator, sepse nuk kishte fonde të mjaftueshme për të financuar zhvillimin e votimeve.
Agjencitë ndërkombëtare dhe kritikët politikë në Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për një shtyrje derisa sistemi zgjedhor aktual të reformohet pas akuzave për mashtrime në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar të fituara nga presidenti Hamid Karzai.
Përfaqësuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Kai Eide, tha për BBC-në se ishte e rëndësishme të nxirreshin mësime nga zgjedhjet e fundit presidenciale.
Por ai e vuri në dyshim faktin nëse kishte mungesë të theksueshme fondesh për organizimin e zgjedhjeve.
Komisioni Zgjedhor përmendi edhe situatën e sigurisë si një arsye për marrjen e një vendimi të tillë.