E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afganistan/Rrëmbehen 16 punonjës të OKB-së

Persona të armatosur të paidentifikuar kanë marrë peng 16 punëtorë afganë, që punonin për një agjenci të OKB-së për çminimin në Afganistan, njoftuan sot burime zyrtare të OKB-së dhe policisë vendase. Punëtorët afganë të çminimit punonin për agjencinë "MDDC", pjesë e agjencisë së OKB-së për çminimin e Afganistanit e njohur si "UNMACA". Ata u rrëmbyen dje ndërsa udhëtonin ndërmjet provincave Khost dhe Paktia, deklaroi shefi i policisë së Paktias. "Nuk kemi informacion lidhur me autorët dhe motivet e rrëmbimit", deklaroi për gazetarët shefi i policisë Azizullah Wardak në Gardez, kryeqendra e provincës së Paktias. Gul Agha, një zyrtar i agjencisë UNMACA, deklaroi se ata u rrëmbyen kur po kalonin në rrugën Logar-Gardez, që të çon në Khost. Sipas statistikave të OKB-së, rreth 150 mijë njerëz janë vrarë ose plagosur nga shpërthimi i minave në Afganistan që prej vitit 1989. Kabuli firmosi traktatin e Otavës që parashikon çminimin e të gjithë vendit deri në vitin 2013.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›