E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bullgaria voton sot për reformat anti-krizë

Sondazhet publike tregojnë se Partia Socialiste, që udhëheq koalicionin aktual qeveritar, do të përballet me zemërimin e votuesve për shkak të recesionit ekonomik dhe klimës së mosndëshkimit të bosëve të krimit, që i kanë kushtuar Bullgarisë miliona euro.

Vitin e kaluar Bullgaria, që u anëtarësua në Bashkimin Evropian në vitin 2007 dhe tani është vendi më i varfër i bllokut, humbi pjesën më të madhe të ndihmës së Brukselit si masë ndëshkuese për shkak të dështimit në luftën kundër korrupsionit.

Nëse rezultatet e opinioneve publike janë të sakta, opozita centriste GERB e kreut të Bashkisë së Sofjes, Mayor Boiko Borisov, do të ketë të drejtën të formojë qeverinë e re të vendit, por në koalicion me parti të tjera.

Borisov ka premtuar se do të godasë me shpejtësi krimin, por analistët besojnë se mundësitë e tij për kryerjen e reformave mund të pengohen dhe do të vareshin edhe nga vullneti i partnerëve të tjerë të koalicionit të ardhshëm qeveritar.

Sipas sondazheve, partia e Borisov pritet të sigurojë rreth 30 për qind të votave, kundrejt 20 për qind të Socialistëve në pushtet.

Qeverisë së re që do të dalë nga këto zgjedhje do t'i duhet të veprojë me shpejtësi për të garantuar që Brukseli nuk dikton sanksione të tjera dhe nuk ndërpret ndihmën aq të domosdoshme për ekonominë bullgare, dhe të tërheqë investitorët e huaj, shumica e të cilëve u larguan nga ky vend ballkanik gjatë këtij viti.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›