E Diel, 1 Nëntor 2026

Medvedev-Obamës: Kompromis për planin anti-raketë

Presidenti amerikan Barack Obama mbërrin nesër në Moskë për t'u takuar me homologun e tij rus Medvedev dhe për të diskutuar lidhur me mënyrat për zëvendësimin e Traktatit për Reduktimin e Armëve Strategjike (START I) përpara skadimit të tij më 5 dhjetor.

Rusia ka deklaruar se një marrëveshje për traktatin START është plotësisht e mundshme, por ndërkohë ka kushtëzuar një marrëveshje për këtë çështje me planet e Uashingtonit për ndërtimin e një sistemi të mbrojtjes anti-raketë në Evropë, që Moska e konsideron si cënim të sigurisë së saj kombëtare.

"Ne i konsiderojmë këto dy çështje si të ndërvarura me njëra-tjetrën", deklaroi Medvedev gjatë një interviste për median italiane, që u transmetua sot nga televizioni shtetëror rus.

Medvedev u shpreh se administrata e presidentit Obama ishte e gatshme të diskutonte lidhur me planin e mbrojtjes anti-raketë, por shtoi se për këtë duhej një kompromis me qëllim që të avancohet në arritjen e një marrëveshjeje për zëvendësimin e traktatit START të vitit 1991.

Uashingtoni ka deklaruar se nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar lidhur me sistemin anti-raketë në Evropë.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›