Prostitucioni, sekuestrohen në Greqi 5 jahte të shqiptarëve
Pesë jahte në pronësi të dy vëllezërve nga Berati janë sekuestruar në Greqi, pasi ka dyshime se përdoreshin për shfrytëzim prostitucioni. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë ka marrë dosjen e vëllezërve Aleksandër dhe Sokol Shehu nga njësia Task Forcë në kryeqytet për akuzën e pastrimit të parave, pasi ka dyshime se këta persona pastronin produktet penale që vinin nga shteti helen. Megjithatë, nga korrespondenca e materialeve prej drejtësisë greke, mësohet se vëllezërve Shehu u janë sekuestruar pesë jahte që përdoreshin për shfrytëzim prostitucioni në rrethinat e kryeqytetit Athinë. Operacioni është zhvilluar pak kohë më parë dhe në pranga ka rënë Sokol Shehu, ndërsa i vëllai, Aleksandri, është shpallur në kërkim. Burime nga zyra “Antimafie” në Prokurorinë e Krimeve të Rënda thanë se jahtet e sekuestruar në Greqi kanë një vlerë nga 600 mijë euro deri në një milion euro dhe në to mbaheshin prostituta luksi për klientët VIP. Prokuroria shqiptare thotë se po bashkëpunon me drejtësinë greke për të verifikuar të gjitha transfertat bankare të këtij grupi që merrej me shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese në provincat e Athinës në Greqi, ndërsa aktiviteti i tyre ka vazhduar në Shqipëri, ku kanë blerë prona të patundshme.
Aktiviteti në GreqiDisa javë më parë, gjykata ka bllokuar 2.6 milionë euro, pasuri të dy vëllezërve nga Berati që trafikonin femra të ndryshme në Greqi. Fitimi nga trafiku i nxjerrë prej organizatave kriminale arrinte shifrën e 12000 eurove në ditë. Të gjitha fitimet e ardhura nga ky trafik i paligjshëm janë depozituar në disa banka në vendin tonë. Ndërkohë, në shtetin helen kanë nisur hetimet mbi dy vëllezërit Shehu nga Berati. Menjëherë pas nisjes së hetimeve dhe arrestimit të njërit prej tyre është kërkuar vendosja e sekuestros preventive mbi të gjitha pasuritë dhe llogaritë bankare. është arritur të bllokohen të gjitha llogaritë bankare, të cilat janë hapur në vitin 2008 nga dy vëllezër prej qytetit të Beratit. Ata akuzohen nga shteti helen për kryerjen e veprës penale të trafikut të qenieve njerëzore, shfrytëzim prostitucioni. Sipas të dhënave nga prokuroria, “administratori” i të hollave ka qenë C.M., i cili është kunati i vëllezërve nga Berati. Edhe ky shtetas ka hapur llogari bankare, të cilat tashmë janë bllokuar. është e vërtetuar, sipas akuzës, se C.M. ka bërë transaksione parash nga Shqipëria drejt Greqisë në emra të ndryshëm, kryesisht femra.
Hetimi në ShqipëriPas hetimeve paraprake nga Prokuroria e Tiranës, dosja ka kaluar te Krimet e Rënda. Janë bllokuar llogaritë bankare në euro. Janë vendosur sekuestro preventive edhe mbi llogarinë bankare të shtetasit C.M., e hapur në datën 30 prill 2008. Aleksandër dhe Sokol Shehu janë akuzuar për veprën penale të pastrimit të parave, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Në datën 22 maj 2009, Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Departamentin për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka dërguar një material për fillimin e ndjekjes penale regjistruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me numër nr. 2662. Interesimi për të bllokuar llogaritë e dy vëllezërve ka ardhur nga autoritetet greke. Sipas tyre, shtetasi shqiptar Aleksandër Shehu, nga Komuna Kutalli e Rrethit Berat, dhe banues në rrugën “Sami Frashëri” Tiranë, po hetohet në shtetin grek për veprat penale të trafikut të qenieve njerëzore dhe të pastrimit të parave. Ky shtetas, së bashku me vëllain e tij, Sokol Shehu, akuzohen për krijim të organizatës kriminale, me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit. Ata kishin krijuar një rrjet të mirorganizuar kriminal, duke blerë edhe jahte, të cilat përdoreshin për prostituta. Rrjeti qarkullonte në disa rrethina të Athinës të shtetit grek, ndërsa fitimet ishin kolosale për të pandehurit, që tashmë duhet të vërtetojnë edhe burimin e të ardhurave në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
#