Afrikanët, drejt Kinës

Një tokë e re ka filluar të shkelet nga futbollistët afrikanë. Shumë emra të njohur nga klube të kontinentit evropian janë duke shkuar në Kinë për të luajtur në garën elite të këtij shteti, Super League.
Pas largimit të sulmuesit të Bregut të Fildishtë, Didier Drogba nga kampion i ri i Evropës, Chelsea në drejtim të Shanghai Shenhua muajin e kaluar, një numër futbollistësh të tjerë afrikanë e kanë përcjellë shembullin e tij.
Sulmuesi nigerian Yakubu Aiyegbini u largua nga Blackburn Rovers për Guangzhou R&F në kontratë trevjeçare, kurse ylli i Malit, Frederic Kanoute arriti marrëveshje dyvjeçare me Bejing Guoan, pas largimit nga skuadra spanjolle Sevilla.
Atyre u është bashkuar edhe bashkëkombësi i Kanoutes, Seydou Keita, i cili nënshkroi kontratë për dy vite e gjysmë me Dalian Aerbin, pas 14 titujve të fituar me gjigantin katalan, Barcelona. Çka po i josh disa prej yjeve më të mëdhenj afrikanë të transferohen në Kinë, përveç asaj të zakonshmes, rrogës më të madhe? Angazhimi i futbollistëve me profil të lartë afrikanë mund të ketë disavantazhe jashtë fushës.
“Kina është duke u zhvilluar shpejt me ndihmën e yjeve afrikane”, deklaroi James Porteous, gazetar i South China Morning Post. “Ndoshta klubet e shohin këtë si mundësi për të shtuar marketingun dhe lidhjet politike mes Kinës dhe Afrikës”, shtoi ai.
Përfitimet financiare janë po ashtu faktor i madh në joshën e futbollistëve në Kinë. “Liga – ose disa prej skuadrave – janë përplot me para nga pronarët e pasur, të cilët shpeshherë gjenerojnë përfitime të mëdha”, u shpreh Porteous.
Lideri aktual Guangzhou Evergrande është pronë e Evergrande Real Estate Group, kryetari i së cilës Xu Jiayn është njeriu më i pasur në Kinë. Ai ka njoftuar se ka investuar në klub afro 70 milionë dollarë në vitet e fundit.
Trendi i pronarëve të pasur dhe shpenzimet e tyre të mëdha në klubet e futbollit është mjaft i njohur për tifozët. Ajo që mbetet e paqartë është mënyra se sa të mëdha janë këto shifra, kur kihet parasysh statusi ende i vogël i ligës elite të Kinës.
Trajneri i Guangzhou Evergrande është italiani Marcello Lippi, fitues i Kampionatit Botëror 2006 me Italinë, i cili është shndërruar në një prej trajnerëve më të paguar në botë me 10 milionë euro në vit.
Sa u përket përforcimeve nga Afrika, Drogba besohet se do të përfitojë rreth 350 mijë dollarë në javë, kurse Yakubu rreth 150 mijë sosh. Futbollistët si Drogba dhe Kanoute, të dy 34 vjeç, janë në përfundim të karrierës. “Pa i njohur ata, dyshoj se një pagë e mirë në fund të karrierës është faktori kryesor motivues për ta”, u shpreh Porteus.