E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina ne delir per Drogba

Qindra tifozë në delir kanë pritur Didië Drogba në aeroportin e Shangait. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë është blerja më e re e Shenhua, skuadër ku ai ribashkohet me Nikolas Anelka, përkrah të cilit ka luajtur edhe te Çelsi.

Fansat e lojtarit, pjesa më e madhe e të cilëve mbante të veshur fanellën me numrin 11 dhe emrin Drogba, ishin zgjuar në orët e para të mëngjesit për të pritur idhullin e tyre në aeroportin që ndodhet rreth 30 kilometra larg metropolit. Asgjë nuk mund ti frenonte për të marrë pjesë në këtë ngjarje.

Sapo Drogba u shfaq në sallën e mbërritjeve, nisën koret me emrin e tij, valëvitja e flamujve të Bregut të Fildishtë dhe tufa me lule. Ndërkohë, forca të konsiderueshme të policisë janë lodhur jo-pak për të mbajtur nën kontroll tifozët entuziastë.

Drogba nuk i zhgënjeu tifozët dhe ndaloi për tu dhënë dorën dhe firmosi autografë, ndërsa në çdo minutë që kalonte situata bëhej edhe më kaotike, mes lotëve të gëzimit dhe thirrjeve të admirimit.

Sulmuesi, që ishte heroi i Çelsit në triumfin në Champions League arriti të çante me vështirësi rrugën deri në automjetin që e priste në aeroport, gjithmonë i rrethuar nga tifozët. Madje, u nevojit ndërhyrja e policisë që ai të hipte në makinë dhe të largohej.

Drogba do të luajë për dy sezone e gjysmë te Shangai Shenhua, ndërsa në aventurën kineze ai do të përfitojë rreth 300 mijë dollarë në javë. Sulmuesi ka realizuar 157 gola në 341 ndeshje me Çelsin, duke qenë golashënuesi i katërt më i mirë në historinë e anglezëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›