E Diel, 1 Nëntor 2026

Afrimi i fluksit, kompania publike premton cilësi dhe korrektesë

Shërbim cilësor dhe korrektesë për të gjithë klientët tanë. Ky është premtimi që drejtues të Tirrenias, nëpërmjet përfaqësuesit të tyre në Shqipëri bëjnë në këtë periudhë që pritet të regjistrojë fluks emigrantësh në portin më të madh të vendit. Drejtori ekzekutiv i agjencisë publike të lundrimit "Taulantia" sh.a, Rezart Kthupi, thotë se, me gjithë konkurrencën e madhe dhe jo të drejtë në tregun e lundrimeve që zhvillohet në Portin Detar të Durrësit, kompania italiane "Tirrenia" është sërish operatori më i madh në trafikun e pasagjerëve në këtë port. Duke iu referuar drejtuesve të kompanisë pas shkrimit në "Shqip" mbi situatën kritike që rrezikon të çojë drejt mbylljes së linjës Durrës-Bari, Kthupi thotë se kompania italiane "Tirrenia" është në gjendje të përballojë të gjitha vështirësitë financiare dhe ato të shkaktuara nga konkurrenca, pa krijuar shqetësime për klientët e saj si në periudhën e tanishme, ashtu edhe për muajt që do të vijnë. Numri i pasagjerëve që zbarkojnë çdo ditë nga tragetet e linjave detare në Portin e Durrësit ka ardhur në rritje gjatë javës së parë të korrikut dhe fundjava e ardhshme parashikohet të shënojë një fluks të ndjeshëm të emigrantëve shqiptarë dhe kosovarë që kthehen për pushime në atdhe. Drejtuesit e "Tirrenias", kompanisë së vetme publike italiane të lundrimit dhe "Taulantias", përfaqësuesit të tyre në vendin tonë, garantojnë klientët e tyre se do të kenë të njëjtin nivel shërbimi si ai që u është ofruar deri më tani, duke bërë që kjo kompani të vazhdojë të jetë më e mira në tregun shqiptar të lundrimit. Kompania për t‘iu përgjigjur dhe konkurrencës në çmime ka bërë ulje të tarifave të shërbimit në masën 30 për qind.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›