Vetëplagoset me çifte, enigmë shkaqet
Vetëplagoset me çifte, jashtë rrezikut për jetën 73-vjeçari nga qyteti i Beratit. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërkohë që policia nuk ka një variant zyrtar rreth rrethanave që kanë shtyrë të moshuarin drejt këtij akti. Mësohet se burri është gjetur i gjakosur në dhomën ku flinte nga familjarët e tij, të cilët e kanë çuar me urgjencë në spitalin rajonal të Beratit, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas mjekëve, ai është paraqitur me një plagë në gjoks në krahun e majtë, shkaktuar nga një saçme e vetme, ndërkohë që sipas tyre 73-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve të policisë, arma e gjahut mbahej me leje nga ana e djalit të familjes Jaho, e cila është bllokuar në cilësinë e provës materiale për hetime të mëtejshme.