E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radhë të gjata në doganën e Kosovës

Sezoni turistik i këtij viti duket se i gjen të papërgatitur strukturat e doganës së Kosovës në kufi me Kukësin. Fluksi i automjeteve që udhëtojnë në drejtim të Shqipërisë është i lartë, ndërkohë që personeli i doganës së Vërmicës është modest për të përballuar hyrjet në kufi. Duke filluar nga data 1 korrik, në doganën e Morinit kanë hyrë mbi 7 mijë mjete në ditë, të cilat kanë për destinacion bregdetin e Shqipërisë. Udhëtarët dhe drejtuesit e mjeteve tregojnë se në pjesën e Kosovës janë krijuar radhë të gjata, ku duhet të presësh më shumë se katër orë për të kaluar në doganën e Morinit, ku ka një personel shtesë që e përballon më lehtë fluksin e lëvizjes. Numri më i madh i mjeteve ka qarkulluar të shtunën, ku gjatë gjithë ditës kaluan traun më shumë se 11 mijë automjete dhe ku radha nga dogana deri në fshatin Zhur shkonte deri në 10 kilometra gjatësi. Në doganën e Vërmicës së Prizrenit ka vetëm dy sportele, ku edhe thjesht numri i personave dhe ndonjë kontroll sipërfaqësor i mjeteve shkakton vonesa dhe nervozizëm tek udhëtarët. Një problem i hasur gjatë këtyre ditëve është mosnjohja e kartave të identitetit të shtetasve shqiptarë. Doganat e Kosovës, e respektivisht ajo e Morinit në Kukës por edhe të tjera, nuk i njohin kartat e identitetit të shtetasve të Shqipërisë, edhe pse për to është folur aq shumë për elementët e sigurisë. Qindra banorë të Kukësit këto ditë janë kthyer mbrapsht në doganën e Vërmicës, pasi kishin menduar se më në fund do të mund të udhëtonin me karta identiteti. Banorët e Kukësit tregojnë për gazetën "Shqip" se janë të zhgënjyer, pasi policia e doganës së Kosovës nuk i ka lejuar të hyjnë në territorin e Kosovës me dokumentet e reja të identifikimit. "Pas skadimit të pasaportës ndërkombëtare, mendova se me kartë identiteti mund të udhëtoja për në Prizren. Kam dëgjuar se kosovarët hyjnë në Shqipëri edhe pa pasaportë dhe gjykoj që nuk bëjnë mirë që nuk na lejojnë edhe ne të hyjmë në Kosovë pa pasaportë", tregon gjithashtu i zhgënjyer një banor i Kukësit. Në të vërtetë, disa muaj më parë, është nënshkruar një marrëveshje mes dy Ministrive të Brendshme, përkatësisht të Kosovës dhe Shqipërisë, për sezonin turistik, por edhe që shtetasit e dy vendeve të mund të lëvizin edhe pa pasaportë ndërkombëtare. Madje një gjë të tillë e kishte deklaruar edhe Islam Lauka, ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, por mesa duket vendimi nuk është shtrirë deri në dogana. Mendohet se muajin e fundit janë kthyer mbrapsht në doganë rreth 300 shtetas të rajonit të Kukësit, të cilët kishin menduar se mund t‘u hynte në punë edhe letërnjoftimi për të vizituar të afërmit në Kosovë apo për të bërë shkuar për turizëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›