Konflikti për pronat, kushërinjtë shkrehin armët
Konflikti për pronat ka shënuar viktimën e radhës. Sherri për tokën ka çuar në përplasje të forta kushërinjtë, deri në përdorimin e armëve, ku si pasojë njëri ka mbetur i plagosur rëndë me armë zjarri dhe dy të tjerët, autori i plagosjes dhe vëllai i të plagosurit, kanë rënë në prangat e policisë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të vona të pasdites së të dielës, në fshatin Bërshin të Bashkisë së Klosit, në Rrethin e Matit, ku Rexhep Rexhepi, 42 vjeç, pas një sherri me kushëririn e tij, Sul Rexhepi, 56 vjeç, e ka qëlluar atë me armë zjarri, duke e plagosur rëndë. I plagosuri është dërguar për në Spitalin Ushtarak, ku mësohet se ende po lufton me jetën. Burime nga policia lokale bëjnë me dije se sherri mes kushërinjve ka ardhur për motive pronësie. Mësohet se konflikti brenda fisit Rexhepi kishte kohë që kishte nisur, ku palët në mënyrë të përsëritur ishin grindur mes tyre, por pa gjetur zgjidhje, deri sa dy ditë më parë ata u janë drejtuar armëve. Ndërkohë mësohet se policia me të marrë njoftim ka shkuar në vendngjarje, ku ka prangosur 42- vjeçarin Rexhep Rexhepi, për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Veç kësaj, në prangat e policisë ka rënë edhe Hysni Rexhepi, vëllai i të plagosurit, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga policia ju gjet një armë pistoletë e tipit TT, të cilën e mbante pa leje. Materialet i kanë kaluar prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme.