E Diel, 1 Nëntor 2026

Afron asgjësimi i fletëve të votimit, në pritje të zgjedhjeve vendore

Ekspertët argumentojnë se nuk mund të priten pafundësisht tekat e Edvinit

Ndonëse e kishte shmangur aq sa mundi, KQZ nuk mund ta shtynte pa fund djegien e fletëve të votimit. Sipas ish-kryetarit të këtij institucioni, Kristaq Kume, paaftësia e politikës për të gjetur një zgjidhje, nuk mund të bllokojë Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.
Sipas tij, zbrazja e kutive e më pas asgjësimi i fletëve në gusht është një zgjidhje tërësisht legjitime e Ristanit.
“Ky mosveprim nuk mund të zgjasë pambarimisht në kohë. Ne nuk kemi luksin që për hir të këtij ngërçi, për hir të pazotësisë, për hir të impotencës së klasës politike për ta zgjidhur problemin, të investojmë për të blerë 6 mijë apo më shumë kuti të tjera dhe këto t’i mbajmë ashtu të paprekura”, tha Kume dje parmes një interviste mediatike.
Por sipas ish-numrit një të institucionit që administron zgjedhjet, dekretimi i datës nga presidenti në gusht duhet të verë në alarm politikën për një tjetër çështje, amendimin e kodit zgjedhor.
“Ajo çka unë shoh me afrimin e datës së dekretimit të zgjedhjeve, shumë më të rëndë sesa kjo, është nga njëra anë detyrimi i klasës politike për të përgatitur infrastrukturën ligjore, pra për të bërë strukturën e nevojshme në kodin zgjedhor”, tha Kume.
Një amendim urgjent sipas tij në kod duhet të bëhet për mënyrën e numërimit.
Një ditë më parë, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kishte pohuar se në gusht kutitë duhet të zbrazen për t’u përdorur në zgjedhjet lokale.
Por për mazhorancën 3 muaj janë më se të mjaftueshëm për të hetuar zgjedhjet, para se kutitë të boshatisen. Enkelejd Alibeaj, anëtar i komisionit hetimor për 28 qershorin, thotë se opozita mund ta vejë në çdo moment në funksion komisionin që kërkoi vetë. “Besoj që jemi në kohën e duhur që PS të ketë gjitha mundësitë të vijë në komisionin hetimor, të bëjë kërkesat e saj për provat, të këqyrë materialet, ato çfarë ajo dëshiron dhe ligji lejon, dhe kushtetuta lejon, dhe vendimet e gjykatës kushtetuese lejojnë. Në kët mënyrë nuk do të kërkohet të vendosë as në ngërç KQZ. Nuk shoh asnjë lloj mundësie, as teorike që KQZ të bëhet barrierë e komisionit hetimor. Nuk ka se sit ë bëhet barrierë. është gjithmonë në të drejtën e vet për të respektuar dhe për të zbatuar ligjin. Po kështu edhe komisioni hetimor i ka të gjitha mundësitë, jo vetëm teorike, por praktike, për të bërë transparencën e plotë të procesit zgjedhor të 28 qershorit. Mund të jetë një dëshirë diabolike e PS që të nxjerrë një sebep tjetër për asgjësimin e fletëve, por nuk do të ndodhë. Mundësitë i ka”, tha Alibeaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›