Dega e PD-së Vlorë, apel Bashkisë së Gjikës, për t’ju rikthyer punës për zgjidhjen e problemeve
Dega e Partisë Demokratike për Vlorën i bëri thirrje dje bashkisë së këtij qyteti, për t’u angazhuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, aktualisht e shkatërruar, në prag të çeljes së sezonit turistik. Në një deklaratë për shtyp, dega lokale e PD-së vuri në dukje se “vetëm 5 javë përpara çeljes së sezonit turistik, infrastruktura është në gjendje katastrofike, ndërkohë që drejtuesit e bashkisë përpiqen të vendosin ekuilibra të reja brenda partisë, përmes ndryshimeve në administratë”.
“Vlora jonë, çdo ditë e më tepër po fundoset në gropat e rrugëve, në ajrin e ndotur, në hedhjet e inerteve në bregdet, në mungesën e aktiviteteve kulturore, në mungesën e gjithëpërfshirjes së qytetarëve në jetën publike apo edhe vendimmarrje”, thuhet në deklaratën, të shpërndarë posaçërisht për mediat.
Përmes saj, i bëhej thirrje drejtuesve aktualë të bashkisë, për të lënë mënjanë deklaratat dhe shfaqjet publike dhe t’u kthehen punëve për zgjidhjen e problemeve të strehimit, për shtrimin e rrugëve, pastrimin e qytetit, për ta shndërruar Vlorën në një qytet të denjë për vizitorët dhe turistët e huaj.