Agasi: Vjeshta në PS nis me largimin e Edi Ramës

Lëvizja “Nano” njofton se po ngre strukturat në të gjithë vendin
Lëvizja Nano për fitoren e socialistëve ka vënë në lëvizje edhe mbështetësit e saj në Durrës. Bardhyl Agasi, ish-deputet i PS-së së bashku me Paqësor Zenelin, janë dy nga emrat që kanë dalë në mbështetje të kësaj lëvizje që nga bërja publike e saj.
Ish-deputeti Bardhyl Agasi, është shprehur se bashkimi me këtë lëvizje ka qëllimin e shërimit dhe forcimit të partisë Socialiste nga kjo që po vuan.
“U bë kaq kohë që kjo parti nuk njeh asnjë fitore, në shkelje statutore, me gabime trashanike, siç ishte ndryshimi i Kushtetutës. Me një strategji që ka çuar në fërkimin e duarve të Berishës sepse ka dalë gjithmonë ai fitues. Kjo është një lëvizje e inkuadruar brenda PS-së, ka shërbimin më të mirë për ta çuar partinë Socialiste me një siguri të plotë në zgjedhjet e ardhshme për fitore”, u shpreh Agasi.
Në lidhje me organizimin në Durrës, Agasi bën të ditur se edhe pse kjo lëvizje është në hapat e para, ka marrë mjaft mbështetje nga socialistët durrsakë.
“Qëllimi ynë i parë është që ne të kontaktojmë me bazën e socialistëve në mënyrë që ti shfaqim mendimet, vërejtjet tona dhe për të marrë mendimet e tyre. Duke filluar nga shtatori të ndjehet fuqishëm brenda PS-së kjo alternativë”, thotë ish-deputeti socialist.
Agasi ka kritikuar edhe qëndrimin e PS-së dhe liderit te saj, Edi Rama, në fushatën për zgjedhjen e presidentit të Republikës, duke mos kandiduar liderin historik Fatos Nano dhe as dhënien e emrave të tjerë që PS, sipas Agasit, i ka me shumicë.
Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve i është drejtuar me një tjetër ftesë gjithë socialistëve për të risjellë liderin historik Fatos Nano në krye të PS-së, pasi sipas saj, ai di dhe mundet të mundë Sali Berishën. Kjo lëvizje bën me dije se “së shpejti do të nisë nismën statutuore me anëtaret e PS për të kërkuar largimin e Kryetarit të pamerituar dhe humbës kronik Edi Rama, si edhe për të sjellë në Krye të PS, Kryetarin Historik dhe Fitues Fatos Nano”.
Në një deklaratë për shtyp, kjo lëvizje ka akuzuar sërish kreun aktual të PS-së, Edi Rama si kryetari përçarës e që i ka sjellë vetëm humbje socialistëve.
“Fatos Nano i sjell në vëmendje Kryetarit të pamerituar dhe humbës kronik të PS Edi Rama, se Nano ka qenë për 15 vite Kryetar i PS e sot është aktualisht Anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS. Askush nuk mundet ti mohojë, deformojë apo zhbëjë historinë dhe vlerat më të mira ndër vite të PS bashkë me Fatos Nanon. Askush nuk mundet ta nxjerrë Fatos Nanon jashtë PS”.
Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve u bën thirrje të gjithë anëtarëve të PS dhe të gjithë popullit të majtë, popullit opozitar që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje duke regjistruar emrat e tyre pranë zyrave përkatëse të koordinimit që po ngrihen me shpejtësi në çdo qytet e fshat. Procesi i regjistrimit të mbështetësve e vullnetarëve të kësaj Lëvizjeje ka filluar, e shumë shpejt do t’ju bëjmë të njohur emrat e të gjithë koordinatorëve kudo në çdo cep të Shqipërisë si edhe detajet e kontakteve ku mund të drejtoheni. Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve është një projekt përbashkues i socialistëve, popullit të majtë, popullit opozitar, e si i tillë është një projekt fitues.