E majta dhe kundërshtimet e saj për çdo lloj reforme
Pa mbaruar mirë zgjedhjet në vendin fqinj, filluan të qarkullojnë parashikimet e para në Europë. Duket se më shumë se për vetë grekët këto zgjedhje janë të rëndësishme sidomos për Europën. Sipas një televizioni belg Rbtf, në orën 17:00, në krye ishte partia Demokracia e Re e liderit Antonio Samaras, i cili është pro respektimit të marrëveshjes me Bashkimin Europian. Më pas renditej Siriza, partia ekstremiste e majtë e cila është në favor të qëndrimit në zonën euro por duke dashur të rishikojë ndërkaq edhe masat e kursimeve të planit të shpëtimit prej 130 miliardë dollarë të Bashkimit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, me 27%. Pastaj vinte Pasoku, partia që është pro masave të kursimeve të Venizelos, dhe në fund partitë e ndryshme komuniste. Vetëm dy ditë më pare ish kryeministri grek Papandreu, që nga zyra e tij në Fondacionin Papandreu, kishte folur hapur me shtypin ndërkombëtar për votën e Greqisë e cila “mund ta shpinte akoma në krizë botën”. Sipas ish kryeministrit “Nëse do të ishte bërë referendum mbi Memorandumim “që ai i kishte propozuar ish presidentit francez Sarkozi dhe që ky i fundit nuk e kishte pranuar, ndërsa kancelarja Angela Merkel kishte qenë dakort “ndoshta Greqia nuk do të ndodhej në këtë situatë”. “Europa për të mbijetuar duhet të jetë demokratike”. Gjithmonë sipas ish kryeministrit grek dhe lideri i Sirizës “është vetëm një populist i majtë” por nuk mund të konsiderohet një progresist i vërtetë. Ky radikal i majtë “është kundër çdo reforme, do të centralizojë akoma dhe më shumë ekonominë, do të rrisë numrin e punonjësve publikë dhe i ka folur popullit që mos të paguajë më autostradën, dhe as taksat. Ai nuk është gjë tjetër veçse një formë e fenomeneve oportuniste dhe demagogjike që kemi jetuar përgjatë viteve pas rënies të regjimit të kolonelëve”. Lideri i ekstremistëve të majtë grekë nuk ka një program të qartë. Ndoshta vetë Bashkimi Europian duhet të tentonte më shumë tek integrimi europian dhe ndoshta hapi i parë mund të ishte një bashkim bankar europian. Ndërkaq për Greqinë problemet janë me të vërtetë të shumta. Jemi në sezonin e vërës një periudhë në të cilën shpeshherë ka patur provokime në detin Egje. Por në këto momente Greqia nuk është e aftë për hir edhe të ekonomisë së saj që të reagojë me fqinjët e saj. Sipas përfaqësuesit të Internacionales socialiste “duhet një siguracion i shpejtë, një garanci europiane për depozitat në mënyrë që të ndalet dhe të evitohen rradhët e gjata nëpër banka. “Në kohën kur unë isha kryeministër ishim shumë të kujdesshëm për të ndërtuar një mburojë mbrojtëse dhe në fund ja kemi arritur edhe pse me vonesë” - nënvizon më tej përfaqësuesi i Internacionales socialiste i cili më tëj evidenton edhe gabimet e vetë Greqisë me një evazion fiskal endemik, me korrupsion dhe një deficit të lartë. Më tej ka shtuar se nuk mund të flitet për një G20 por për një G.0 me vende që nuk dinë të qeverisin sistemin financiar global. Në fakt direkt pasi të mësohet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve në vendin fqinj çështja europiane, me krizën ekonomike dhe atë financiare do të diskutohen në G20. Qëllimi është që Europa nga fjalët të kalojë tek aksionet e saj. Sepse rreziku është i madh. Ka mundësi që në nivel global kriza të përfshijë jo vetëm Spanjën apo Italinë por edhe Kinën, Indinë dhe Amerikën. E gjithë vëmëndja është drejtuar tek kancelarja Angela Merkel jo vetëm në nivel europian por edhe në atë ndërkombëtar. Flitet se nga Brazili, India, Kina, Australia dhe Turqia kërkohet që ajo të bëjë më tepër. Por nga ana tjetër nëse e gjithë Europa është e përfshirë nga kriza e vetmja ekonomi që funksionon është ajo gjermane. Ndërkaq edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama po ndjek me vëmendje Gjermaninë e cila pas takimeve të shumta nuk vazhdon të ndërhyjë. Është një takim që ndërkaq do të përgatisë një tjetër takim europian që do të zhvillohet më 28 qershor. Duhet që Europa të japë sinjale zgjimi sepse ekonomia globale fillon të vuajë nga kriza europiane. Nga ana tjetër gjaaë G20 do të formalizohet stabilizimi i besueshmërisë të debisë sovrane dhe kontributi i Fondit Monetar Ndërkombëtar i cili do të jetë afro 430 miliardë dollarë. Do të ketë edhe takime mes liderëve botërore ku do të spikasë padyshim ai mes Vladimir Putinit dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, të cilët mes të tjerash do të flasin edhe për Sirinë dhe Iranin. Për këtë vend të fundit do të bëhet gjithçka në mënyrë që të lejohen inspektorët dhe të evitohet kërcënimi i vazhdueshëm i atij rajoni.