E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji, Maliqi dhe Gjyqtaret

/* */

Vendimet e djeshme të Komisionit të Disiplinës treguan edhe njëherë mungesë koherence dhe mungesë të qartë vullneti apo strategjie për t’i thënë ndal dhunës në stadiume.

Konkretisht, është dënuar një deputet i cilësuar nga FSHF-ja si “spektatori Dashnor Sula”, që të mos hyjë në stadium për tetë javë. Është dënuar edhe presidenti i Flamurtarit me të njëjtën masë, por edhe me gjobë. Bukur fort. Po pastaj? Hiç fare, asgjë nuk ndodh. Nuk ndodh sepse këta persona, që herë cilësohen si tifozë dhe herë si drejtues, janë dënuar edhe më parë. Në mos këta, kolegët e tyre.

Po çfarë ka ndodhur? Ata kanë hyrë sërish në stadium dhe i kanë parë ndeshjet për qejf. Kështu ka ndodhur së fundmi me ish-presidentin e Tiranës, që mori një dënim të ngjashëm (pavarësisht se i dyshimtë si vendim) dhe ulej sërish në tribunë, madje krah sekretarit të përgjithshëm, Eduard Prodani.

Kështu ndodhi rreth një vit më parë me presidentin e Laçit Pashk Laska, i cili gjithashtu ishte në tribunë. Kështu ka ndodhur edhe me deputetin Sula, që nuk është hera e parë që merr sanksione të tilla, por klubi është tërësisht i pafuqishëm që t’i ndalojë atij hyrjen në stadium. Po ç’dobi solli kjo përsëritje dënimesh, ose më mirë të themi ky “shou i rëndomtë” i Komisionit të Disiplinës për Federatën dhe mbi të gjitha për futbollin shqiptar. Asgjë të re. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse vendimet e mëparshme jo vetëm që nuk u zbatuan, por krijuan një precedent të rrezikshëm.

Krijuan frymën dhe bindjen se vendimet e FSHF-së për “VIP”-at janë thjesht fjalë në letër. Rregullat rëndojnë vetëm mbi ata të “bazës”, pra për lojtarët pa mbështetje, për funksionarët e thjeshtë. Po pse nuk na i kursen Disiplina kësi shfaqjesh? Pse duhet t’iu themi njerëzve që filani është dënuar dhe një ditë më pas ta shohim në stadium? Kush mban përgjegjësi për këtë lojë të pandershme rregullash? Çfarë duhet të ndodhë që rregullat të jenë të barabarta? Mos vallë duhet ndonjë kurban apo ndonjë hata e madhe? Pse ankohen të gjithë në kor, nga presidentë deri te lojtarë kur shkojnë në transferta: “Na dhunuan, na masakruan, na goditën...”. Pse nuk e ngrenë asnjëherë zërin se po shkelen rregullat që i kanë votuar vetë, se po injorohen institucionet dhe se “ligji në dorën e Maliqit” bën namin vetëm tek individët e thjeshtë?

Arbitrat
Pak vite më parë një arbitër italian u godit në bërryl në Peqin dhe u bë nami. Ishte ndeshja gjysmëfinale e Kupës mes Shkumbinit dhe Flamurtarit dhe arbitri anësor Gabriel Gava u gjakos në krah pas një goditjeje me sende të forta. Reagoi federata italiane e futbollit duke dënuar aktin brutal, por duke paralajmëruar se nuk do të dërgonte më gjyqtarë përveçse për të arbitruar në Tiranë. Më pas reagoi edhe ambasada italiane në Tiranë, duke e dënuar incidentin. Kujtojmë edhe njëherë: arbitri u godit në bërryl dhe ndodhi gjithë ajo që ndodhi.

Këtë Ermal Barushin tonë, edhe ky arbitër, madje me një të ardhme të madhe, e goditën në fytyrë. E kishin ënjtur edhe nga shpatullat edhe në dorë, por nuk u ndje. Kur guri iu përplas në fytyrë nuk duroi më dhe vendosi të largohej nga pozicioni i tij. Po çfarë ndodhi në Shqipëri pas kësaj? Mos vallë u ngrit shoqata e arbitrave të dënonte incidentin? Mos vallë pati një qëndrim të përbashkët të “xhaketave të zeza” në shenjë solidarizimi? Jo, nuk pati asgjë të tillë. Për shqiptarin Barushi e ngriti zërin vetëm media, ndërsa ata të llojit të tij, apo shefat e tij heshtën. Heshtën, ashtu sikundër heshtën edhe kur shoqata e tyre e pavarur, u bë shoqatë e varur. Tani edhe kryetari i shoqatës, njëherazi disenjator, kryetar i komitetit të arbitrave dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv, është pjesë e administratës. Anomali të tilla, pjellin edhe situata të tilla. 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›