E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Canaj trajneri i ri i Bylisit

TIRANË - Agim Canaj është trajneri i ri i Bylisit, duke pasuar në stolin ballshiot maqedonasin Nikola Ilievski. Për ballshiotët ky është trajneri i tretë sezonal pasi në tre javët e para drejtoi Ilir Spahiu. Canaj këtë sezon drejtoi për disa javë Shkumbinin (nga java 3 deri 14).

Ekipet e drejtuara nga Agim Canaj në karrierë Lushnja, Shkumbini, Dinamo, Besa, Skënderbeu, Flamurtari, Vllaznia, Gramozi dhe tani Bylis.
Ndeshja e parë e Agim Canajt në stolin e Bylisit është ajo kundër Elbasanit të vendit të fundit, në “Ruzhdi Bizhuta”. Misioni i Agim Canajt është të shpëtojë Bylisin nga rënia në Kategorinë e Parë, prej së cilës erdhi sezonin e kaluar.
Aktualisht, Bylis ndodhet në vendin e 10-të me 24 pikë, një më shumë se Besa e parafundit dhe 12 më shumë se Elbasani i vendit të fundit. Po në javen e 25-të do të debutojë në krye të Shkumbinit edhe Kristaq Mile, ky i fundit pason Përparim Daiun.
Nga 12 ekipe që ka Superliga, tetë prej tyre i kanë ndryshuar trajnerët me të cilët nisën sezonin: Shkumbini (3 herë), Besa (2), Tirana (2), Elbasani (2), Dinamo (2), Vllaznia (1), Bylisi (2) dhe Skënderbeu (1). Vetëm Flamurtari, Laçi, Teuta dhe Kastrioti nuk i kanë ndryshuar trajnerët.

- Superliga 2010-2011, lëvizjet e trajnerëve

Shkumbini: Mirel Josa (nga java 1-2), Agim Canaj (nga java 3-14). Përparim Daiu (nga java 15-24), Kristaq Mile (nga java 25)

Bylisi: Ilir Spahiu (nga java 1-3), Agim Meto (java e 4-t), Nikola Ilievski (nga java 5-24), Agim Canaj (nga java 25).

Besa: Shpëtim Duro (nga java 1-4), Përparim Daiu (nga java 5-10), Gert Haxhiu (nga java e 11-të)

Tirana: Sulejman Starova (nga java 1-6), Nevil Dede (nga java 7-19), Misho Krsticevic (nga java 20)

Vllaznia: Mojash Radonjiç (nga java 1-8), Mirel Josa (nga java e 9-të).

Elbasani: Krenar Alimehmeti (nga java 1-16), Esad Karishik (nga java 17-21), Ilirjan Filja (nga java 22)

Dinamo: Luis Manuel Blanko (nga java 1-16), Ilir Daja (nga java 17-19), Artan Mërgjyshi (nga java 20)

Skënderbeu: Shkëlqim Muça (nga java 1-20), Shpëtim Duro (nga java 21).

(d.b/ATA/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›