Agim Popa: Ju rrëfej debatet me Nexhmijen për figurën e Fan Nolit
Afrim Imaj
Me figurën e Fan Nolin regjimi komunist demonstroi fund e krye një sjellje të dyzuar. E promovonte për vlerat atdhetare e kulturore dhe njëherazi impononte indiferentizmin për kontributet e shquara politike të tij. Pavarësisht studimeve të pjesshme për rolin dhe veprën e tij, institucionet shtetërore të asaj periudhe, u munduan të përzgjedhin nga krijimtaria e Nolit fragmente të shkëputura si poemën “Anës Lumenjve” etj. E vërteta është se Fan Noli apo Theofan Stilian Noli (6 janar, 1882 – 13 mars, 1965), shkrimtari, oratori, themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare, ish-kryeministri i Shqipërisë në vitin 1924, ka kaluar mes sitave tepër të imta të vlerësimit të krerëve të shtetit komunist shqiptar. Përkundër asaj pjese që i jepej popullit si ushqim për këtë figurë, pjesa tjetër, ajo që mbetej e panjohur, apo në rastin më të mirë e pëshpëritur, ka nxitur herë pas herë elementët e propagandës komuniste, të frenonin që në embrion çdo lloj tentative për të promovuar apo ndriçuar më shumë se ishte paracaktuar gjeninë e shqiptarit të madh. Në ditarin e Agim Popës, drejtorit të Drejtorisë së Jashtme në Komitetin Qendror të Partisë së Punës, tema e vlerësimit të Fan Nolit zë një kapitull të veçantë. Në rrëfimin për gazetën “Panorama” Popa zbardh për herë të parë disa incidente të panjohura, që nisnin pikërisht pasi dikush guxonte apo tentonte, që të shtoheshin vlerësimet ndaj figurës së Fan Nolit. Pikërisht në këtë kohë, sipas tij, ndërhynin për të frenuar gjithçka, njerëzit më të afërt të Enverit, Ramiz Alia e Nexhmije Hoxha, të cilët për vetë pozicionin që mbanin përcaktonin si të thuash “Kodin e sjelljes” me figura të tilla të rralla të historisë së Shqipërisë. Profesor Popa zbulon për herë të parë mënyrën si këta dy bashkëpunëtorë të afërt të diktatorit kanë rrëzuar idenë që Biblioteka Kombëtare të merrte emrin e Nolit, ndërkohë që më parë kanë kundërshtuar idenë tjetër që një shtëpi në Durrës të kthehej në një muze për shqiptarin e madh...
Zoti Agim! Ju keni qenë një nga funksionarët e KQ të Partisë, ndërkohë që në ditar, ndër të tjera shkruani se lidershipi komunist ka pasur rezerva për sjelljen tuaj politike. Cila është e vërteta?
Ishte një njollë e errët në biografi nga ato që në komunizëm të penalizonin politikisht. Në rastin tim pasojat ishin gati të papërfillshme, gjithsesi jo pa efekte përballë besueshmërisë së lidershipit kryesor. Më shumë se një defekt biografik, ishte një lloj rezerve me të cilën vlerësohej puna dhe kontributi në aparatin e KQ, të cilën e kam përjetuar jo pa shqetësim. Ishte një goditje e hershme...
Në ditar shkruani se ka lidhje me debatet në Konferencën e Tiranës të vitit ‘56...
Pikërisht aty fillon e mbaron historia e kësaj andralle, për të cilën mendoj se nuk ka vend për të bërë disidentin. Ishte një ndërhyrje në debatin e përgjithshëm në atë kuvend të bujshëm, e cila me sa dukej u vlerësua negative nga lidershipi i kohës. Përballë goditjeve katasrofike që morën një pjesë e madhe e delegatëve, qëndrimi ndaj meje ishte diçka e papërfillshme.
Çfarë çështje ngritët në konferencë që u vlerësua se binte në kundërshtim me vijën e përgjithshme të partisë?
Në Konferencën e Tiranës nuk isha delegat, por isha njëri ndër të ftuarit si pedagog në shkollën e Partisë. Ishte kuvendi i parë pas Kongresit të XX të PK të BS, ku idetë e Hrushovit për një frymë të re në lëvizjen komuniste, ngjallën jo pak debate në radhët tona. Në këtë klimë Konferenca e Tiranës duke thyer tabutë e hershme shtroi çështjen e rishikimit të dënimeve politike dhe rehabilitimin e njerëzve të goditur nga lufta e klasave. I nxitur nga mënyra e debateve, në një moment kërkova fjalën dhe u interesova për arsyet e dënimit të Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut. Dita e parë e konferencës drejtohej nga i deleguari i KQ Beqir Balluku, i cili i ndodhur në breshërinë e mjaft ndërhyrjeve të tilla lajmëroi Enver Hoxhën që ndodhej me pushime në Vlorë. Enveri erdhi menjëherë dhe ndryshe nga sa pritej nisi të inkurajojë debatet me frymë kritike, me sa duket për të studiuar situatën. Të nesërmen u shfaq krejt ndryshe, duke sulmuar ashpër të gjithë ata që kishin debatuar dhe kishin bërë vërejtje të ndryshme për vijën e partisë. Goditja siç dihet ishte e rrufeshme për secilin ndaj tyre...
Pra, në Konferencën e Tiranës jeni penalizuar për çështjen e Bedri Spahiut dhe Tuk Jakovës...
Nuk u penalizova në Konferencën e Tiranës, por disa ditë më pas në një mbledhje në Shkollën e Partisë. Teksa diskutonim për pasojat e frymës së saj, Mihal Bisha, i deleguari i KQ, në një moment nxori bllokun nga çanta dhe u drejtua nga unë. “Ti Agim Popa, tha, në konferencë ke pyetur pse janë dënuar Tuk Jakova e Bedri Spahiu”. Po, i thashë aty për aty. “Po tani e ke të qartë?” mu kthye me një ton qortues. “Tani po, e kam shumë të qartë”, u përgjigja unë. Mihali ishte nga njerëzit më të besuar të Sekretariatit të KQ dhe bënte detyrën e Drejtorit të Kuadrit. Lapsi i tij në dosjet personale kishte rëndësi përcaktuese në karrierën e zyrtarëve. Pikërisht këtë kisha parasysh kur pohoja para tij në atë takim delikat. Sidoqoftë, pa gjë nuk mbeta nga ndërhyrja që kisha bërë për dënimin e Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut. Kish mjaftuar kjo dhe ndonjë reagim tjetër që në opinionin zyrtar të trajtohesha si një intelektual liberal.
Në ditarin personal diku keni shënuar se keni pasur debate me Nexhmije Hoxhën për figurën e Fan Nolit...
Është e vërtetë që me Nexhmije Hoxhën kemi shkëmbyer mendime të ndryshme për figurën e Fan Nolit. Rasti i parë ka lidhje me kundërshtimin e saj për të shpallur shtëpi muze një banesë në qytetin e Durrësit, ku Noli kishte jetuar disa kohë. U diskutua ky propozim në një takim të Foto Çamit, ish-sekretar i KQ për problemet e propagandës me grupin konsultativ të krijuar enkas për këto çështje. Unë nuk bëja pjesë në të, se kisha rënë nga fiku, por më aktivizonte Xhelil Gjoni e Alfred Uçi. Në fillim foli Sofokli Lazri, i cili për hir të së vërtetës u shpreh se figura e madhe e Fan Nolit meriton shumë më tepër se një shtëpi muze. Sakaq u çua Nexhmije Hoxha. “Kemi të bëjmë me një problem delikat dhe do t’ju lutesha të mos ngutemi”, tha ajo duke shfaqur rezervat e saj për propozimin e komisionit, që kishte të bënte me nderimin e Nolit...
Cilat ishin argumentet që hodhi Nexhmija për këtë çështje?
Më mirë me thënë argumente pa argumente. Fan Noli, tha ajo në shpjegimet e veta, u pajtua me Ahmet Zogun dhe shtoi diçka tjetër që kishte lidhje me marrëdhëniet e tij me disa personalitete të huaja. Vetëm kaq dhe asgjë më tepër. Sidoqoftë dukej shumë e bindur dhe këmbëngulëse në ato që thoshte. E dëgjova me vëmendje dhe aty për aty iu ktheva me qetësi: Është e vërtetë ajo që thotë shoqja Nexhmije, por nuk duhet harruar që Noli sa mori vesh krijimin e Komitetit të Përgjithshëm Antifashist në Kongresin e Përmetit, i dërgoi një letër përshëndetëse shokut Enver dhe e mbështeti atë”. Pas një pauze të shkurtër Nexhmija tha se këtë nuk e dinte dhe filloi të lexojë diçka në bllokun e shënimeve që mbante përpara...
Cila ishte arsyeja që gruaja e Enverit kishte alergji nga emri i Fan Nolit?
Nexhmija ndruhej se mos emri i Nolit retushonte dhe i bënte hije figurës së Enverit. Madje jo vetëm ajo, por edhe Ramiz Alia ka qenë hezitues për promovimin e vlerave të Fan Nolit. Në fakt e gjithë propaganda e periudhës së komunizmit kishte një sjellje të dyzuar ndaj emrit dhe figurës së tij...
Ju kujtohet ndonjë rast ku Ramiz Alia ka reaguar negativisht për figurën e Nolit?
Mbaj mënd që tre muaj pas diskutimit në zyrën e Foto Çamit për shpalljen e shtëpisë muze në Durrës, kjo çështje u rihap në një mbledhje me sekretarët e KQ ku diskutohej një raport i Ministrisë së Jashtme. Diku doli përsëri historia e shtëpisë muze në Durrës dhe një propozim i dytë për t’i dhënë emrin e Fan Nolit Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Nexhmija si dhe në takimin me Foto Çamin u çua e para dhe e kundërshtoi këtë radhë më energjikisht. Disa çaste nuk foli njeri. Heshtjen e theu Ramiz Alia, të cilit i dukej i çuditshëm një propozim i tillë. “E mo, emri i Nolit Bibliotekës Komëtare(!), u shpreh ai, le të thërrasim me emrin e tij librarinë e Lidhjes së Shkrimtarëve”. Mënyra si Ramizi operoi në atë diskutim, të linte të kuptoje se se ashtu dhe vetëm ashtu do të bëhej. Po me Ramizin ndodhi çudia tjetër disa vite më vonë kur ai ishte në detyrën e presidentit dhe vizitoi SHBA-në. Në librin e tij me kujtime ndër të tjera ai vë në dukje jo pa madhështi se gjatë vizitës në Amerikë një nga punët më të rëndësishme ishte homazhi në vendvarrimin e të madhit Fan Noli...
Diku në shënimet tuaja në ditar flisni për indiferencën e politikës zyrtare edhe ndaj një figure tjetër siç është ajo e Konicës. Çfarë keni parasysh për këtë?
Edhe me Konicën ndodhte e njëjta gjë si me Nolin. Më kujtohet kur binte fjala për të në takime të ngushta me zyrtarë të KQ. Për një pjesë të madhe të tyre politika e Tiranës e kishte bërë detyrën e saj, pasi kishte botuar përkthimin e “përrallave të 1001 netëve...
vijon të dielën
Në numërin e kaluar Miqtë e Enverit në ‘82: Pse e vratë Mehmet Shehun
Teksa kishte ndërruar jetë në kushte të dyshimta në dhjetor të ‘81 kryeministri Shehu, lajmi zyrtar për vetëvrasjen e tij, i zuri në befasi, miqtë e Enver Hoxhës e të Partisë së Punës, të cilët nxituan të marrin kontakte me autoritetet e Tiranës për të mësuar të vërtetën lidhur me fatin e kryeministrit shqiptar. Me aq sa sqaronte propaganda komuniste, për ta ishte e pamjaftueshme, madje në shumë raste argumentet kundërshtonin njëri-tjetrin. Amullia nga shpjegimet e mjegullta për vetëflijimin e kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë komuniste, i bënte të huajt, sidomos miqtë e lidershipit të asaj periudhe sa dyshues aq dhe këmbëngulës për të shkuar tek e vërteta që nuk u zbardh asnjëherë. “Çfarë ndodhi natën e 17 dhjetorit në Tiranë?”; “E vranë apo vrau veten?”; “Ç’thotë Enveri për tragjedinë e Mehmetit”; “Pse flitet shkurt për vdekjen e kryeministrit”. Këto dhe të tjera dilema që vinin nga miqtë e lëvizjes komuniste, për të cilat lidershipi i Tiranës më shumë përpëlitej se rrëfehej, krijuan një situatë të nderë që vinte në dyshim vet kauzën e Enver Hoxhës. Në ditarin e Agim Popës janë pasqyruar debatet e shumta rreth enigmës së vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Pjesa më e madhe e aleatëve të komunistëve shqiptar, nuk e kapërdiu lajmin e dyshimtë dhe shprehu rezerva qysh në çastet e para për mënyrën si u eliminua kryeministri Shehu. Madje, siç vërehet në shënimet e profesor Popës kishte ndër miqtë e Enverit, që kërkonin në një farë mënyre llogari pse ishte vrarë pabesisht Mehmet Shehu...
“Ribashkimi: Vetëm me anë të revolucionit proletar në të dy anët e kufirit”
Enveri, gjermanëve: Si duhet ta shembni Murin e Berlinit
Aventura e Enver Hoxhës arrinte deri aty sa të ofronte zgjidhjen e bujshme të ndarjes historike të Gjermanisë së pasluftës së Dytë Botërore. Çuditërisht alternativa e tij parashikonte implementimin e revolucionit proletar në Gjermaninë Perëndimore dhe bashkimin e saj me pjesën Lindore. Përkundër asaj që ndodhi shumë vite më vonë, Hoxha në takim me liderët komunistë të Berlinit Perëndimor këshillonte ribashkimin nëpërmjet vendosjes së demokracisë popullore si formë të diktaturës së proletariatit në të dyja pjesët e Gjermanisë. Në ditarin e Popës shtjellohet me detaje kjo ide e Enverit...
3.VII.1973
Takim me delegacionin e PKML të Gjermanisë Perëndimore Aust dhe Klingerman
Shoku Aust: (Pas një analize për situatën më të fundit në vend)
Ende jemi në kontradikta për strategjinë e bashkimit të dy Gjermanive. Ne, gjermano-perëndimorët, (kuptohet përfaqësuesit e lëvizjen M-L në vend) themi dy shtete dhe një komb! Honekeri dhe liderët e tjerë të PK të Gjermanisë Lindore thonë: Dy kombe gjermane! Ne themi ribashkim i Gjermanisë mbi bazën e revolucionit proletar në të dyja pjesët. Ne jemi kundër NATO-s dhe kundër Traktatit të Varshavës, pra edhe kundër Tregut të Përbashkët e KNER-it. Kurse Honekeri e revizionistët e tij janë kundër NATO-s, por për Traktatin e Përbashkët, kundër Tregut të Përbashkët por për KNER-in
Shoku Behar Shtylla: A ka zënë vend në masat punonjëse propaganda e revizionistëve se marrëveshja me BS do të sigurojë punë për 50 vjet?
Shoku Aust: Së pari, punëtorët nuk i besojnë, por sidoqoftë ka dhe iluzione. Punëtorët janë dëshmitarë të shfrytëzimit e të tradhtisë së social-revizionistëve…
Shoku Behar Shtylla: Atëherë, cila është rruga e shpëtimit, si do t’i sigurojmë ne ata se edhe marksist-leninistët nuk do të veprojnë në të njëjtën mënyrë…
7.8.1973
Takim me E.F. Hill
Shoku Ramiz Alia: Zbërtheu gjendjen ndërkombëtare, situatën e lëvizjes M-L dhe foli më gjatë për marrëdhëniet midis dy partive tona.
Shoku Hill: Qeveria laburiste punon për shuarjen e luftës së klasave, duke thënë se çdo gjë mund të zgjidhet me anën e bisedimeve. Ndërkaq vija e revizionistëve i kushtohet vijës legale dhe mohon çdo punë ilegale. Realiteti objektiv i dikton klasës punëtore luftën. Një luftë së pari për ngritjen e çmimeve. Kështu p.sh., në fabrikën e Fordit. Partia është duke bërë një punë të madhe për luftën kundër revizionizmit në Australi.
Shoku Ramiz Alia: Lidhur me disa probleme që ngriti shoku Hill, le të sqarohet me shokët Behar Shtylla e Agim Popa…
21 shtator 1973
Takimi me delegacionin e PPK të Norvegjisë.
U diskutua me ta ndër të tjera mbi disa probleme të lëvizjes marksiste-leniniste në zonën e vendeve nordike.
5.6.1974
Takimi i shokut Enver Hoxha me krerët e PK të Gjermanisë Aust dhe Shubert
Shoku Enver Hoxha: Pasi foli për rëndësinë që PPSH i jep rolit të PK të Gjermanisë, duke pasur parasysh vendin e Gjermanisë Perëndimore në çështjen e revolucionit proletar botëror dhe në praktikën e sotme ndërkombëtare veçanërisht në Evropë, shoku Enver u ndal në hollësi…
“Ekzistojnë dy zgjidhje të mundshme përsa i përket çështjes së ribashkimit të dy Gjermanive: A- Me anë të revolucionit, duke vendosur demokracinë popullore si formë të diktaturës së proletariatit në të dyja pjesët e Gjermanisë. B-Ribashkimi i Gjermanisë mbi një bazë kapitaliste që do të ishte Gjermania e Krupëve ose e Honekërve etj. Partia Komuniste e Gjermanisë ka zgjedhur rrugën e parë.