E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji “i mbrapshtë” dhe perspektiva morale

Agim Baçi 

Gjatë ditëve të fundit pjesë kryesore e debatit shoqëror ka qenë pikërisht një projektligj i artikuluar nga shefi i Qeverisë, lidhur me të ardhmen e homoseksualëve. Në përgjithësi, debati shënoi kulmin lidhur me çështjen e martesave të mundshme  brenda të njëjtit seks. Nga ajo që kam lexuar, e shpjeguar edhe nga kreu i Grupit të së Drejtave të Njeriut, zonja Ballauri, kam arritur të kuptoj se ajo çka është projektuar, ka të bëjë pikërisht me çështjen e diskriminimit.  Në thelb, shmangia nga diskriminimi i kujtdo duhet të jetë angazhimi i çdo shoqërie të civilizuar. Kështu që çdo ligj për të shmangur diskriminime, duhet parë si një hap emancipues për shoqërinë.
Por, a mund të ndalemi këtu?
Artikuluar nga Kryeministri, çështja e martesave brenda të njëjtit seks, një gjasë në të ardhmen, në fakt ishte një rrufe në qiell të pastër. Së pari, një artikulim i tillë, edhe pse jo pjesë e ligjit, u bë nga një drejtues i një force politike jo të majtë, gjë që nuk ka ndodhur më parë në asnjë vend ku është debatuar për të drejtat e homoseksualëve. Duhet të theksojmë se janë të majtët në mbarë botën ata që e kanë deklaruar këtë debat, gjë që në të shumtën e rasteve, është kundërshtuar nga konservatorët, pra nga partitë e djathta. Së dyti, debate për këtë ligj është bërë në një periudhë tranzitore, kur qeveria konsiderohet si “kujdestare”, pasi është mes dy mandatesh, edhe pse dihet tashmë që kryeministër do të jetë po z. Berisha. Së treti, e ndoshta më kryesorja, një debat i tillë, shumë i ndjeshëm për popullsinë, është artikuluar si i gatshëm për miratim, pa pasur as më të voglin diskutim në publik dhe pa marrë parasysh traditën e shqiptarëve kundrejt këtij fenomeni.
Edhe pse arsyeja e debatimit ngjan disi madhore, për shkak se i është bashkangjitur kushteve që duhet të plotësojmë për të qenë të lirë për të lëvizur drejt BE-së, duhet që qarqet debatuese të përqendrohen në disa pika që u interesojnë shqiptarëve në përgjithësi e jo një pjese të shqiptarëve në veçanti, qofshin këto “përdorues” të këtij ligji apo “përfitues” të këtij ligji.
Afërmendsh, që të qenit vend me shumicë myslimane dhe me një traditë të ashpër kundrejt këtij fenomeni, mund të ketë bërë që zyra të ndryshme në Bashkimin Evropian (nuk dua të besoj se gjithë BE-ja) të provokojnë këtë situatë publike në mënyrë të hapur në Shqipëri. Ky provokim i hapur ndihet qartë, pasi një ligj i tillë nuk u diskutua në asnjë nga vendet që sapo fitoi të drejtën e lëvizjes së lirë drejt Bashkimit Evropian. Mjafton të kujtojmë se në Serbi, e cila fitoi liberalizimin e vizave, disa vite më parë, qytetarët i vunë flakën disa protestuesve homoseksualë, që kërkonin të drejtat e tyre. Pra, duket qartë se, kemi të bëjmë me një praktikim të provokimit të situatës. Por, nëse është një provokim, ky duket një parakusht i rëndë i BE-së, të cilës përfaqësuesit politikë duhet t’i përgjigjen me maturi.
Së pari, është detyrë ligjore që të ndërmarrim hapa që shmangin diskriminimin dhe t’u tregojmë vendeve të BE-së se nuk jemi diskriminues ndaj askujt që mendon ndryshe. Por, njëkohësisht, diplomacia shqiptare, duhet të rrëfehet përpara disa burokratëve të BE-së se, një ligj që parashikon këto martesa brenda së njëjtit seks, bie ndesh me perspektivën morale të familjes, e cila në Shqipëri, falë Zotit, vijon të jetë ende një pasuri e madhe, edhe pse me shumë tronditje për shkak të zhvillimit të vrullshëm.
Qeveria, e cila sapo është rimandatuar nga shqiptarët, nuk mundet të hartojë ligje, të cilat bien ndesh me moralin e shoqërisë, që bien ndesh me të ardhmen e familjes. Do të mjaftonte një sondazh i vetëm për të kuptuar se, shqiptarët do të votonin kundër hyrjes në BE, nëse kushti do të ishte “hyrja mbrapsht”.
Personalisht jam i bindur se, nëse shqiptarët admirojnë diçka nga BE, është respekti për ligjin, respekti për mendimin, respekti për punën e shkollën, e jo respekti “i mbrapshtë”, i cili vijon të mbetet në minorancë në shumicën e vendeve të BE-së. Ne e dimë tashmë se, edhe për vendet e BE-së, një debat i tillë ka qenë shumë i koklavitur, edhe pse shumica e këtyre vendeve ka demokraci të zhvilluar. Ndaj, nëse ne nuk kemi arritur të kopjojmë nga BE shumë gjëra “mes e lart”, nuk ka pse të nxitohemi t’i kopjojmë “mes e poshtë”.  
Në një kohë ku vlerat janë vënë në diskutim, ne duhet të nxitojmë të promovojmë lëvizje që parashtrojnë moral, që mbrojnë familjen. Dhe, meqenëse rregulli i demokracisë është koncepti i shumicës, ne duhet të respektojmë këtë shumicë, e cila në thelb është kundër martesave brenda së njëjtit seks.
Debate të tilla, të cilat pritet të ndodhin, për shkak të rrugës së pandalshme të integrimit në familjen e madhe evropiane, duhet të parashtrojnë përpara shqiptarëve nevojën për ridiskutim të së gjitha rrugëve që mbrojnë moralin, traditën e mbi të gjitha vlerat e besimit te Zoti, i cili sugjeron një familje të fortë.
Ndryshe, lëvizja e lirë do të jetë “me këmbë të shtrënguara”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›