SHKB-ja “kap mat” në Fier policët rrugorë që merrnin ryshfet
Drejtoria e Shërbimi të Kontrollit të Brendshëm ka mundur të vërtetojë se të paktën 7 policë rrugorë në qytetin e Fierit ishin bashkëpunëtorë dhe të përfshirë në një skemë klasike të marrjes së ryshfetit nga ana e shoferëve të ndryshëm të automjeteve. Një ekip i përbërë nga specialistë të Ministrisë së Brendshme dhe specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë kanë bërë një inspektim në rrugët e territorit të Fierit për disa ditë me radhë. Duke përdorur edhe kamera të fshehta, ata kanë filmuar momentet kur efektivët e policisë së qarkullimit rrugor merrnin lekë nga drejtuesit e mjeteve. Pas kompletimit të provave filmike, ekipi i Tiranës ka nisur hetimin dhe bërë propozimet për marrjen e masave ndëshkimore ndaj policëve të kapur në shkelje. Inspektimi u organizua pas disa sinjalizimeve nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit. SHKB-ja kishte marrë me dhjetëra denoncime nga shoferët, të cilët pohonin se u kishin dhënë ryshfete policëve rrugorë, pasi ishin kërcënuar për bllokim mjeti apo dokumentesh. Mësohet se mes shtatë policëve të kapur në shkelje bëjnë pjesë efektivë të futur në radhët e policisë gjatë muajve të fundit. Largimi i tyre nga detyra do të vijë në një moment kur qarkullimi rrugor në Fier po përballet, ashtu si dhe në të gjithë vendin, me një fluks të madh automjetesh, për shkak të kthimit të shumë emigrantëve.
Policia asgjëson 1050 rrënjë kanabis në Delvinë
Policia e Sarandës ka asgjësuar dje1050 rrënjë bimë narkotike. Sipas policisë aksioni është shtrirë në disa hektarë tokë në zonën e Delvinës. Pas informacioneve që policia kishte siguruar në rrugë operative për rritjen e bimëve të hashashit në një zonë të Delvinës ka nisur dhe aksioni ditën e sotme i cili ka përfunduar me asgjësimin e rreth 1050 rrënjë bime kanabis sativa. Policia bëri të ditur se hashashi u zbulua në vendin e quajtur Pigadhe në fshatin Vergo të Delvinës. Burimet policore thanë se ende nuk dihen pronarët e tokës që u zbulua bima narkotike dhe po punohet për identifikimin e personave që kanë mbjellë kanabisin. Dy ditë më parë, në vijim të zbatimit të Plan-Veprimit “Për parandalimin, organizimin e punës për kryerjen e operacioneve policore për identifikimin, asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike dhe ne zbatim të plan-operacionit të koduar “Krehja 2009” , nga efektivat policore të Krujës është bërë e mundur kapja e një sasie të re toke të mbjellë me bimën kanabis sattiva. Sipas të dhënave, u bë e mundur që në fshatrat Bruz- Zall dhe Mafsheq, në një terren të pyllëzuar toke, të gjenden 3 hapësira të ndara nga njëra-tjetra me një sipërfaqe prej 1980 metra katrore e mbjellë me 2435 rrënjë bimë narkotike “Cannabis Sativa”, të cilat kishin një lartësi nga toka prej 60-220 cm. Pas kryerjes së veprimeve proceduriale e gjithë sasia u asgjësua me përjashtim të tre rrënjëve, të cilat u dërguan për ekzaminime të mëtejshme pranë Insitutit të Policisë Shkencore. Ditën e mërkurë antidroga e Policisë së Tiranës, ka mundur zbulojë një parcelë me bimë narkotike në periferi të kryeqytetit. Specialistët e seksionit të Luftës Kundër Narkotikëve, pas informacionet e marra se në fshatin Qesarak, Komuna Dajt, ndodhej e mbjellë në një parcelë me një numër të pa përcaktuar, rrënjë bimë narkotike, të llojit Cannabis Sattiva, kanë mbërritur për të kryer verifikimet. Burime nga policia thanë se specialistët bënë të mundur sekuestrimin e afro 87 rrënjë bimë narkotike, të dyshuara si “Cannabis Sattiva”, të mbjella në një parcelë, truall i cili dyshohet të jetë pa pronar. U kryen veprimet proceduriale, dhe policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa i ka kaluar materialet prokurorisë, për veprën penale “kultivimit të bimëve narkotike”. Nga studimet e bëra rezulton se droga më e përdorur dhe më e përhapur në Shqipëri është kanabis sativa. Pas saj një numër më i vogël përdor heroinë dhe kokainë, që janë droga të forta dhe të shtrenjta. Problematika kryesore shfaqet tek adoleshentët të cilët janë viktimat e para të drogave.
7 Gusht 2009