E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Pesë partitë që qduhet të kthejnë fondet

 

BLEDAR HOTI

Partitë e vogla, edhe pse kanë mbetur jashtë Kuvendit, tani do t’u duhet të kthejnë lekët dhe t’ua dhurojnë aleatëve të tyre të mëdhenj. Në këto kohë krize, 5 subjekte politike pritet të vihen përballë detyrimit ligjor për kthimin e fondit shtetëror, të përfituar për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur projektvendimin mbi të cilën partitë politike duhet të kthejnë mbrapsht paratë e marra. Projekti i hartuar nga Drejtoria e Financës së KQZ-së ka parashikuar në të njëjtën kohë edhe skemën e shpërndarjes së fondit që do të rikthejnë subjektet politike, për t’ia dhënë partive parlamentare. Pesë parti politike që tashmë janë jashtë Parlamentit detyrohen t’i kthejnë fondet e marra nga shteti për t’ua dhënë 6 partive të tjera, që tashmë do të përfaqësohen në Legjislativin shqiptar. Partia Socialdemokrate, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Aleanca Demokratike, Partia Demokracia Sociale dhe Partia Demokristiane, duhet të kthejnë në total 12.728.806 lekë të reja. Kjo për shkak se ato nuk kanë janë futur në parlament. Sipas nenit 97, pika 3 të Kodit Zgjedhor, “partitë politike, të cilat nuk kanë fituar asnjë mandat në Kuvend, do të duhet të kthejnë shumën e shpërndarë për përballimin e fushatës elektorale”. Më e humbura nga ky vendim, që pritet të marrë KQZ-ja, do të jetë PSD-ja e Skënder Gjinushit, i cili duhet të kthejë pothuajse gjysmën e shumës prej mbi 12.7 milionë lekësh. Kështu PSD-ja duhet të rikthejë shumën prej 5.136.667 lekë, Partia Agrare Ambientaliste 2.644.556 lekë, Partia Aleanca Demokratike 1.920.479 lekë, Partia Demokracia Sociale 1.920.479 lekë dhe Partia Demokristiane 1.315.153 lekë.
PS dhe PD fitojnë gjysmën e fondit
Gjithashtu KQZ-ja ka përgatitur edhe skemën e re të rindarjes së fondit, që do t’u merret 5 subjekteve humbëse në zgjedhje, për t’ia dhënë 6 partive parlamentare. Kjo merret mbi bazën e detyrimit që e përcakton Kodi Zgjedhor, neni 87 pika 5. “Shpërndarja e parave bëhet në përqindje të njëjtë me numrin e vendeve të fituara në zgjedhjet e radhës”, thuhet në relacionin e projektvendimit të KQZ-së. Nga kjo skemë rezulton se PD dhe PS do të përfitojnë pjesën më të madhe të tortës, ndërsa për herë të partë do të përfitojë të holla Partia për Drejtësi dhe Integrim. Demokratët pritet të përfitojnë 6.182.174 lekë, pasi kanë 68 mandate në Kuvend. Ndërsa PS-ja me 65 mandate në Kuvend do të përfitojë shumën prej 5.909.431 lekë. LSI-ja do të marrë 363.657 lekë, PDI, PR dhe PBDNJ do të përfitojnë të njëjtën shumë, ku secila do të marrë 90.914 lekë. Neni 87, pika 3 thekson se depozitimi i këtyre shumave bëhet në llogarinë bankare të KQZ-së. Kthimi i fondeve bëhet jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. “Në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi, pa shkaqe të përligjura, KQZ-ja i kërkon Ministrit të Financave që të urdhërojë Zyrën e Thesarit që këto shuma t’i mbajë nga fondet e tjera buxhetore që përfitojnë këto parti dhe t’i kalojë ato në buxhetin e KQZ-së. “Partia, e cila nuk kthen fondet përkatëse sipas pikës 3 të këtij neni, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni”, thuhet në nenin 87, pika 4 të Kodit.

fondi i partive

Partitë që duhet të kthejnë fondet

Partia Social Demokrate     5.136.667 lekë
Partia Agrare Ambientaliste    2.644.556 lekë
Partia Aleanca Demokratike     1.920.479 lekë
Partia Demokracia Sociale     1.920.479 lekë
Partia Demokristiane         1.315.153 lekë.
Totali                 12.728,006 lekë

Partitë që përfitojnë fondet

Partia Demokratike         6.182.174 lekë
Partia Socialiste             5.909.431 lekë
Lëvizja Socialiste për Integrim     363.657 lekë
Partia Drejtësi për Integrim    90.914 lekë
Partia Republikane          90.914 lekë
P. Bashkimi për të D.e Njeriut     90.914 lekë
Totali                 12.728.006 lekë

Ceka: E pandershme kthimi i lekëve
Për presidentin e PAD-së, Neritan Ceka është e pandershme që pas disfatës në 28 qershor që i la jashtë parlamentit, partitë e vogla të detyrohen të kthejnë paratë e marra nga shteti për fushatën. “Kjo është e pandershme sepse ne kemi shpenzuar për fushatë dhe rezultatin tonë e ka marrë PD, ashtu siç dhe nga e majta kanë shpenzuar dhe rezultatin e ka marrë PS dhe të kthesh paratë kur ti ke dhënë kontributin e votave apo në fitoren e disa deputetëve besoj që nuk përputhet me Kodin”, deklaroi Ceka. Ndërsa kryealaencisti hodhi idenë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe të ndërhyjnë dy partitë e mëdha PS dhe PD për zgjidhjen e kësaj çështjeje. “Urgjentisht duhet të ndërhyjnë dy partitë e mëdha që kjo histori të mbyllet kështu. Votat i kanë marrë, paratë s’kanë pse i kërkojnë. Qoftë PD, qoftë PS që përfitojnë nga këto para, se paratë që duhet të kthejmë ne i kalojnë atyre. I kemi dhënë votat çfarë kërkojnë më”, vijon Ceka. Detyrimit për të kthyer paratë deri në fund të gushtit duhet t’i nënshtrohen 5 forca politike që në legjislativin aktual  ishin të përfaqësuar me të paktën 2 deputetë, dhe më konkretisht, Partia Socialdemokrate, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Aleanca Demokratike, Partia Demokracia Sociale dhe Partia Demokristiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›