Tërhiqet uji, vetëm 600 banesa të përmbytura
Uji është tërhequr masivisht nga zona e Nënshkodrës dhe tashmë numri i shtëpive të përmbytura është ulur në rreth 600, ndërsa pjesa më e madhe e tokës së përmbytur ka dalë mbi ujë. Ministria e Brendshme njoftoi dje përmirësimin e situatës në zonën e Shkodrës, ku është përgjysmuar sipërfaqja e territorit të mbuluar nga uji. Ndërkohë në të gjitha shkollat e zonës ka filluar rregullisht procesi mësimor i ndërprerë për shkak të përmbytjeve dhe situatës së krijuar në këto zona.
Tërheqja e ujit
Sipas informacioneve zyrtare, sipërfaqja e përmbytur është 5234 ha, kur vetëm pak ditë më parë uji mbulonte rreth 12 mijë hektarë tokë në rrethinat e Shkodrës. Tharja e ujit veç përmirësimit të kushteve atmosferike është ndihmuar edhe nga puna e ushtrisë që ka përdorur pompa në tërheqjen e ujit, ndërsa është punuar në hapjen dhe thellimin e kanalizimeve. Ministria e Brendshme njoftoi se në disa zona ku uji është larguar banorët janë kthyer në shtëpitë e tyre. Ndërkohë njoftohet se “kanë mbetur ende në evakuim 1.795 persona. 593 shtëpi janë ende të përmbytura, ndërsa 450 të tjera janë të rrethuara nga uji”. Situata sipas Ministrisë së Brendshme do të vazhdojë të përmirësohet edhe në ditët në vazhdim, pasi “strukturat e Forcave të Armatosura, Bordit të Kullimit dhe Komunës Dajç, vazhdojnë punimet për riparimin dhe mbushjen me thasë rëre të argjinaturës së Dajçit, në pikat e Samrishtit, Darragjatit e Shirqit”.
Ndërkohë sipas informacionit zyrtar, edhe rrugët deri dje të zëna nga uji janë bërë tani të kalueshme. “Të gjitha akset rrugore drejt komunave dhe fshatrave të prekura nga përmbytja janë të kalueshme nga të gjitha llojet e automjeteve. Përjashtim bën aksi rrugor drejt fshatit Obot në Komunën Ana e Malit, si dhe aksi rrugor drejt Velipojës tek Ura e Gjo Lulit, e cila kalohet vetëm me mjete të rënda”, - thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Gjendja
Ndërkohë burimet të Ministrisë së Brendshme bëjnë me dije se me gjithë situatën e rëndë të krijuar nga përmbytjet në të gjithë zonën e prekur nga përmbytja nuk ka rritje të sëmundshmërisë, ndërkohë që shërbimi shëndetësor ofrohet në të gjitha qendrat përkatës. “Ndërkohë po kryhet monitorim intensiv i situatës nga Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë dhe nga ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik. Posaçërisht për ujin e pijshëm janë 22 pika të kontrollit të cilësisë”, - thuhet në komunikatën për shtyp për gjendjen në zonën e përmbytur. Ndërsa theksohet se po punohet për të rikthyer në gjendje përdorimi ato pjesë të sistemit të ujësjellësit të dëmtuara. Edhe pse emergjenca thuajse është kaluar dhe situata është përmirësuar ndjeshëm, për banorët e zonave të përmbytura vazhdon ndarja e ndihmave dhe ushqimeve. “Konkretisht gjatë ditës së sotme në të gjithë komunat po dërgohen pako me ndihma dhe mallra të ndryshme ushqimore, ujë të pijshëm dhe koncentrat e bar të thatë për bagëtitë”, - njofton Ministria e Brendshme. Sipas zëdhënësit të kësaj ministrie, ndarja e ndihmave po bëhet në bazë të kërkesave dhe nevojave që paraqiten nga drejtuesit e njësive vendorë në këto zona.
Reagon KESH: Ahmetaj vazhdon lojën e shpifjes
Pas akuzave nga Arben Ahmetaj, përfaqësues i opozitës për keqmenaxhim nga KESH të situatës hidrike, që sipas tij, ka sjellë dhe përmbytjet, Korporata Energjetike ka reaguar duke i cilësuar ato si shpifje të radhës. “Siç po shihet, pas diskreditimit të fytyrave të mëparshme të opozitës që vetëm kanë shpifur për menaxhimin e KESH-it, në një situatë shumë të vështirë për Shqipërinë e shqiptarët, sot një fytyrë tjetër e radhës, shoku Arben Ahmetaj, po vazhdon lojën e shpifjes të nisur nga të tjerë para tij”, - thuhet në njoftimin për shtyp të KESH. Në këtë njoftim, KESH i ka cilësuar thjesht shpifje deklarimet e Ahmetaj dhe ka theksuar se shifrat që ai përdor, tregojnë sesa me korrektësi është menaxhuar situata nga KESH. “I themi Ahmetajt se më mirë të japë mendime dhe të komentojë për ndonjë tavolinë bixhozi sesa të marrë përsipër barrën e rëndë shpifëse që i ka ngarkuar kësaj radhe kryetari i PS-së”, - thuhet më tej në reagimin e KESH.