E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata rrëzon prokurorinë: Sefgjini, jo në arrest shtëpie

Rrëzohet kërkesa e prokurorit për ricaktimin e masës “arrest shtëpie” për drejtorin e Shërbimit të Provës, Arben Sefgjini dhe të pandehurin tjetër të këtij procesi, Avni Koldashi. Sipas arsyetimit të gjykatës, nuk ka asnjë arsye për vënien e masës së arrestit për këta dy të pandehur, pasi ata kanë respektuar gjykatën, çdo thirrje të saj për t’u paraqitur pranë saj dhe nuk kanë lënë asnjë shkak për prishje të gjykimit me veprimet e tyre. Vendimi për rrëzimin e kërkesës së parashtruar nga prokurori i çështjes së rrëmbimit dhe zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, është marrë dje nga togat e zeza të kryesuara nga gjyqtari Xhelal Elezi. Në fillim të seancës, prokurori Hana kishte kërkuar nga gjykata caktimin e masës “arrest shtëpie” për të pandehurit Sefgjini dhe Koldashi, të akuzuar si personat që kanë lidhje me rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e biznesmenit maqedonas, me arsyetimin se vlerësimet e masave të sigurisë nuk ishin dhënë nga një trupë gjyqësore, por nga një gjyqtar i vetëm. Gjithashtu, përfaqësuesi i akuzës kërkoi edhe pezullimin nga detyra si drejtor i Shërbimit të Provës për Sefgjinin. Por, kërkesa është hedhur poshtë nga trupi gjykues, duke theksuar se i pandehuri Sefgjini është sjellë korrekt me drejtësinë. “Në një moment të tillë procedural, nuk mund të bëhet kërkesë për ndryshim të masës së arrestit. I pandehuri Arben Sefgjini është sjellë korrekt me drejtësinë dhe nuk ekziston mundësia e largimit të tij nga Shqipëria. Posti i tij nuk përbën problem për zhdukjen e provave”, - thuhet në vendimin e trupit gjykues. Kërkesa për pezullimin nga detyra të Sefgjinit dhe caktimin e masës “arrest shtëpie” për këtë të pandehur dhe Avni Koldashin është bërë në momentin kur pritet të dëgjohet dëshmia e një tjetër të rrëmbyeri, Avdyl Loshaj. Por, nga ana e trupës gjyqësore nuk është vendosur ende se si do të realizohet marrja e dëshmisë, përmes letër-porosisë apo pyetjen drejtpërdrejt në Holandë, përpara trupës gjyqësore, prokurorit dhe avokatëve të të pandehurve. Në tetor 1995, sipas burimeve nga akuza, Loshaj është shoqëruar në ambientet e Shërbimit Informativ Kombëtar, dega Tiranë dhe është hedhur nga kati i dytë i saj. Loshaj u gjet nga policët e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, në territorin e tyre dhe u shoqërua më pas për në spital, pa ditur se si kishte përfunduar aty. Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe të pandehurit e tjerë të kësaj çështjeje akuzohen edhe për urdhrin e dhënë për shoqërimin e padrejtë ndaj Loshaj dhe torturimin e tij. Loshaj, i cili jeton në Holandë dhe për arsye sigurie organi i akuzës nuk donte ta sillte për të dëshmuar në Shqipëri, mësohet nga dëshmitë e dhëna të jetë paraqitur me identitet të rremë, një gazetar i huaj, duke krijuar lidhje dhe kontakte me drejtues të policisë dhe SHIK-ut në atë kohë në Sarandë. Por, shpejt, do të zbulohej identiteti i tij dhe të rezultonte se ishte shtetas shqiptar nga Kosova.

“Në një moment të tillë procedural nuk mund të bëhet kërkesë për ndryshim të masës së arrestit. I pandehuri Arben Sefgjini është sjellë korrekt me drejtësinë dhe nuk ekziston mundësia e largimit të tij nga Shqipëria”, - u shpreh gjykata

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›