Me “Facebook”, kapet banda e grabitësve memecë të “Benz”-ave”
Një grup prej tre personash që akuzohen për grabitje makinash u arrestuan nga policia e kryeqytetit, e cila arriti t’i fuste në grackë nëpërmjet rrjetit social “Facebook”. Shërbimet e hetimit të komisariatit numër 3 finalizuan operacionin “Heshtja”, ku vunë në pranga tre të rinj. Ndërkohë që një tjetër person është shpallur në kërkim, si pjesë e kësaj bande që merrej me vjedhjen e makinave. Makinat e preferuara të grupit për t’u vjedhur ishin ato të markës “Mercedes Benz”. Sipas burimeve nga policia, grupi i goditur ishte shumë i veçantë. Pjesëtarët e saj janë memecë dhe për të komunikuar me njëri-tjetrin, kur kryenin vjedhjet, komunikonin me anë të shenjave. Hetimi ndaj tyre kishte disa javë që kishte filluar. Ata akuzohen për kryerjen e shtatë grabitjeve të ndryshme. Të arrestuarit u shoqëruan në qelitë e paraburgimit, ndërkohë që vazhdojnë hetimet në lidhje me vepra të tjera penale të kryera nga ky grup.
Hetimi
Prej një muaji, policia e Tiranës kishte nisur hetimet në lidhje me aktivitetin e grupit të grabitësve. Ata ishin katër, dy me origjinë nga Durrësi dhe dy nga Elbasani, banues në kryeqytet. Për të futur në kurth bandën dhe për të zbuluar lëvizjet e tyre, shërbimet e hetimit të krimit të komisariatit nr. 3 përdorën një metodë të veçatë. Të rinjtë kishin adresat e tyre në rrjetin social “Facebook”. Ata hapën një adresë të rremë, ku nëpërmjet monitorimit të vazhdueshëm të profilit personal të tyre, arritën të mësonin lëvizjet dhe të kryenin më pas arrestimin e tyre. Sipas burimeve nga policia, të rinjtë dyshohen se për të realizuar më së miri vjedhjet komunikonin me mesazhe dhe përmes adresave elektronike, “Yahoo” dhe “Facebook”. Pas realizimit të vjedhjeve të automjeteve, kryesisht të markës “Benz”, i dërgonin në qytetin e Durrësit me qëllim shitjen e tyre. Sipas burimeve, strukturat e hetimit të krimit të komisariatit të policisë nr. 3 Tiranë së bashku me seksionin përkatës po punojnë intensivisht në drejtim të dokumentimit të vjedhjeve të tjera të automjeteve dhe të banesave, të realizuara nga ky grup kriminal, në kohë e vende të ndryshme në Tiranë. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan automjetet me targa si më poshtë: automjeti me targa TR 5983 J, TR 4691 R, TR 0473 B, TR 6267 E.
Të arrestuarit
Tre të ndaluarit u arrestuan në orët e vona të mbrëmjes së të hënës, në afërsi të stacionit të trenit në Tiranë. Forcat e komisariatit nr. 3 të policisë vunë në pranga 22-vjeçarin Romeo Rakipi, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i proceduar disa herë për një sërë vjedhjesh në Tiranë dhe Flamur Matoshi, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i dënuar disa herë për vjedhje. Në pranga ra edhe adoleshenti me inicialet A.I., 16 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, i dënuar më parë për “moskallëzim krimi”. Policia po punon për ndalimin e anëtarit të katërt të grupit, me inicialet I.I., 26 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.
Vjedhjet
Më datë 17 shtator 2009, në rrugën “Pandi Dardha” në Tiranë dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar vjedhjen e një automjeti me targa TR 2997 K.
Më datë 20 nëntor 2009, në Vorë, dyshohet se kanë realizuar në bashkëpunim përmes tyre vjedhjen e automjet tip “Benz 240”, ngjyrë gri, ndërsa më datë 22 dhjetor 2009, në rrugën “Ramazan Shijaku” në Tiranë dyshohet se kanë vjedhur automjetin me targa TR 8344 C.
Më datë 31 dhjetor 2009, në afërsi të Bulevardit “Zogu I”, dyshohet se në bashkëpunim kanë vjedhur automjetin me targa TR 5983 J, më 01 janar 2010, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin në Unazë të Re, kanë realizuar vjedhjen e automjetit me targa TR 0473 B, kurse më datë 6 janar, në rrugën “Pandi Dardha” në Tiranë dyshohet se kanë realizuar në bashkëpunim vjedhjen e automjetit me targa TR 4691 R, në pronësi të një shtetasi.
Në datën 15 janar të këtij viti, në “Rrugën e Barrikadave” në Tiranë dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e automjetit me targa TR 6267 E.