Itali, shqiptari ther gruan se erdhi vonë në shtëpi
Një grua 33-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, është qëlluar për vdekje me thikë nga burri i saj, pas një sherri të nisur për motive xhelozie. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në Villa Rosa të Martinsicuro-s. Sipas mediave italiane, viktima është Rudina Koni, nënë e dy fëmijëve, 4 dhe 7 vjeç. Autori i krimit, Shkëlqim Koni, 45 vjeç, ka telefonuar më pas karabinierët duke u vetëdorëzuar. Fëmijët i janë dorëzuar disa të afërmve të tyre në Itali. Familja shqiptare kishte disa vite që kishte ardhur në Itali, ku dhe kishte aplikuar për dokumente të rregullta. Fqinjët tregojnë se ata ishin integruar në shoqërinë italiane dhe ishin një çift shumë normal, ku asnjëherë nuk i kishin parë duke bërë sherr me njëri-tjetrin. Autori i dyshuar i ngjarjes përshkruhet si një baba model, i cili e kalonte kohën e tij të lirë me fëmijët. Ai punonte si punëtor në një firmë ndërtimi në vendin fqinj. Ai është shoqëruar në komisariat, ku është marrë në pyetje dhe është dërguar më pas në burgun e Kastronjos (Castrognos). Nga dëshmitë e marra nga hetuesit italianë, shkak i ngjarjes së rëndë në familjen shqiptare ka qenë një sherr i nisur për motive xhelozie. Ai ka pranuar gjatë marrjes në pyetje se ishte autori i vrasjes së bashkëshortes së tij. Viktima 33-vjeçare punonte në një firmë pastrimi gjatë orëve të vona të natës brenda një qendre tregtare të Colonnella-s. Mbrëmjen e së dielës ajo kishte shkuar së bashku me disa kolegë dhe kolege të saj në një darkë. Por kjo nuk i kishte pëlqyer 45-vjeçarit. Kur ajo ishte kthyer në shtëpi, rreth orës 04:00 të mëngjesit të së hënës, ai ishte duke e pritur i zgjuar. Midis tyre kishte nisur një debat për vonesës e 33-vjeçares.
I shoqi nuk e kishte pritur mirë ardhjen vonë të saj dhe më pas në debat e sipër ai kishte nisur ta akuzonte atë për tradhti. Sipas mediave italiane, gjatë rrëfimit të tij në polici, Shkëlqimi i ka thënë gruas se dyshonte për një lidhje të saj me një mashkull më të ri në moshë. Ai e ka shtyrë fillimisht atë duke e përplasur në tokë dhe më pas e ka goditur me thikë dy herë në fyt. Plagët e marra kanë qenë të rënda, duke i marrë jetën 33-vjeçares në vend. Më pas, ai ka telefonuar karabinierët duke i treguar për ngjarjen. Sipas mediave italiane, gjatë momentit të krimit, fëmijët kanë qenë në dhomën e tyre duke fjetur. Karabinierët sekuestruan armën e krimit, thikën e kuzhinës me të cilën u krye vrasja.