E Diel, 1 Nëntor 2026

Agim Shehu e Fatos Klosi, me policë në gjyq

Urdhri i Gjykatës së Krimeve të Rënda për dëshmitarët “VIP” në procesin për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha

TIRANË- Agim Shehu, ish-zvMinistri Brendshëm dhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ish-kreu i SHIK-ut për vitin 1997-2003 shtetasi Fatos Klosi dhe biznesmeni Flamur Reçi do të merren me forcë nga policia për të dëshmuar në lidhje me zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Të tre këta persona, si dhe ish- punonjësi i SHIK-ut, Anibal Basha, i cili dy vjet më parë rrahu Fatos Klosin, janë dërshmitarë të prokurorisë në proces. Deri tani asnjë prej tyre nuk ka pranuar që të paraqitet dhe gjykata ka vendosur t’i japë fundshtyrjeve duke i marrë forcërisht me policë. Pesëshja gjykuese e Krimeve të Rënda urdhëroi dje policinë gjyqësore të marrë me dhunë disa nga dëshmitarët e organit të akuzës në këtë proces pasi për katër seanca rresht kanë refuzuar fletë-thirrjet. Listës me dëshmitarët “VIP” i shtohen edhe ish-punonjës të tjerë të SHIK-ut e policisë në kohën e rrëmbimit të Remzi Hoxhës, Ziso Kristopulit e Avdyl Loshajt. Ndërkohë, për pesë dëshmitarët e tjerë të këtij procesi me në krye ish-shefin e SHIK-ut të qytetit të Sarandës, Alfred Duka, gjykata u shpreh se për këto persona do të përsëritet fletë-thirrja pasi nuk kanë marrë dijeni më parë.

Në seancën e djeshme gjyqësore dëshmuan edhe tre personat e thërritur nga akuza, shtetasi Ardian Muho, Stefan Vasili dhe Islam Gjinari. Të tre këto dëshmitarë, gjatë marrjes në pyetje para gjykatës, dhanë shpjegime në lidhje me njohjet që kishin me shtetasin Armando (Avdyl) Loshaj dhe takimet mes tyre. I pari që doli para togave të zeza ishte ish- komandanti i Policisë së Rendit në Sarandë në vitin 1995 shtetasi Ardian Muho, i cili shpjegoi takimin me Loshajn i cili ishte prezantuar si gazetar austriak dhe gjetjen e një taksisti të besuar për të lëvizur nëpër vende ku ai dëshironte. “Ka qenë qershor apo korrik, nuk e mbaj mend mirë kur një person që u prezantua si gazetar austriak, erdhi dhe kërkoi të më takojë ku e prita dhe më shfaqi interesin për sigurinë në këtë zonë dhe lëvizjet që ai mund të bënte, duke më kërkuar një shofer taksie të besuar që mund të lëvizte pa problem. Gjithë kohës ai fliste anglisht dhe e kam para disa herë, pasi i gjeta një punonjës policie që kishte makinë dhe në ditët e pushimit e voziste atë”,-tha Muho duke konfirmuar se nuk të linte përshtypjen e një personi mashtrues, siç dëshironte ta quante mbrojtësit i të pandehurit Arben Sefgjini.

Më pas, në sallën e gjyqit dëshmoi taksisti që kishte lëvizur meArmando Loshajn, ish-polici Stefan Vasili, i cili për dy muaj rresht e kishte dërguar atë në vendet ku ai kishte kërkuar të shkonte. “Më është prezantuar si turist dhe kundrejt pagesës e kam lëvizur me makinë në vende të ndryshme, si Butrint, Himarë, Tiranë e Ksamil ku ka qëndruar në banesën e Ziso Kristopulit. Nuk e mbaj mend kur, por, nga fundi i muajt korrik e kam sjellë me kërkesë të tij në Tiranë dhe pasi kemi zënë vend në hotel më është zhdukur duke mos më paguar edhe rrugën e taksisë nga Saranda në Tiranë që ishin 120 mijë lekë”-tha Vasili i cili në atë kohë, sipas tij, kishte dyshime për identitetin e tij dhe kishte pyetur në SHIK. Dëshmitari i fundit para togave të zeza doli ish-punonjësi i SHIK-ut, Islam Gjinari, i cili nuk u përgjigj pyetjeve të prokurorit, duke mjaftuar me fjalët “nuk mbaj mend”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›