Spartak Ngjela: Skandalet që pashë me dosjet
Debatet në Kuvend në gusht ’97, rrëfimi i avokatit të disa prej të përndjekurve në vitet e qeverisjes së PD-së
(Vijon nga numri i kaluar)
Në debatet e sotme do të lexoni dëshminë e avokatit Spartak Ngjela, i cili përfaqësonte disa klientë që ishin bërë me “njollë” nga komisioni “Mezini”, gjatë kohës së qeverisjes së PD-së, pa asnjë shkak.
“Unë kam marrë pjesë në tre gjyqe dhe të tre kanë qenë skandalozë. Atëherë, ku e gjen të drejtën ti si komision, që më merr erzin dhe publikisht më thua agjent i Sigurimit të Shtetit, në një kohë kur unë s’kam qenë”, - thotë avokat Ngjela në dëshminë e tij, duke treguar se sa politikisht ishte përdorur Komisioni i Verifikimit të Figurave.
Mark Ndoka- Pasi u bë fakt i kryer që zoti Nafiz Bezhani u propozua nga Grupi Parlamentar i PS-së, unë kisha vetëm dy vërejtje: E para, për moshën e tij. Ai, për 3-4 muaj feston 70-vjetorin e lindjes. E dyta, është një partizan i vjetër, i lodhur, nuk e di a e përballon dot detyrën e tij. (salla reagon).
Muhamet Bela- Unë gjykoj që ndryshimi i Kryetarit të Komisionit është i domosdoshëm për këto arsye: Së pari, një Komision Shtetëror i Verifikimit të Figurave do të ngrihet për të verifikuar realisht figurat dhe jo për t’u shndërruar në një komision shtatëshe kaldaistësh, e kam fjalën në nivelin profesional, për të thyer dinjitetin e njerëzve, sepse kur një element i caktuar, në një kohë të caktuar, e vendos në Tiranë dhe në Nju Jork brenda ditës, kjo tregon që ai komision ka përfunduar profesionalisht dhe nuk është profesion dinjitoz. Në pikëpamje profesionale, mua më vjen keq që Hajri Mezini qenka një i persekutuar i regjimit të djeshëm, sinqerisht më vjen keq se unë nuk e njoh fare, po të arrish në absurditet, të fyesh dinjitetin e personave që i njeh opinioni publik, që i njeh puna e tyre, ai komision sigurisht nuk është Komision i Verifikimit të Figurave, por është një vegël qorre e pushtetit. Uroj me gjithë shpirt që në këtë detyrë fisnike, kushdo që të vendoset, të ruajë me pastërti dhe me devotshmëri të vërtetën, vetëm të vërtetën. Dhe ai komision le të hapë të gjitha letrat për cilindo që është në Parlament dhe jashtë Parlamentit.
Mark Krroqi- Meqenëse kemi të drejtën e propozimit, se rezultatin e di, por për kuriozitet më tepër, a ka ndonjë kriter para se të propozojmë? Ka ndonjë kriter moshe, aftësie profesionale, aftësi mendore etj?
Skënder Gjinushi- Ligji nuk parashikon asgjë. Sigurisht që duhet të jetë i aftë mendërisht.
Mark Krroqi- Mos duhet të paraqitet raport?
Skënder Gjinushi- Këtë nuk e kemi bërë as për President dhe as për Kryeministër.
Vili Minarolli- Në fakt nuk kam asgjë për kandidaturën e paraqitur, veç asaj që mirë do të ishte që, edhe për atë të kishte një vërtetim për figurën e tij nga komisioni, para se të votohet.
Skënder Gjinushi- Në ligj parashikohet vetëm për Kryeministrin dhe Kryetarin e Shërbimit Informativ Kombëtar.
Vili Minarolli- Nuk e votojmë dot, në rast se nuk sillet vërtetimi.
Skënder Gjinushi- Këtë kishit? Dakord. Mbaruat? ( Deputeti Vili Minarolli kërkon të flasë akoma).
Vili Minarolli- Duke e paraqitur si kërkesë, më duket se propozimi për lëvizjen e zotit Hajri Mezini është e pamotivuar, madje është e paragjykuar. Me arsyetimin që disa vendime të këtij komisioni janë kthyer nga Gjykata e Kasacionit, më duket se kjo është një gjë krejt e natyrshme, sepse do të ishte shqetësuese atëherë kur numri i këtyre kthimeve të ishte aq i madh, sa të bëhej shqetësues për një kryetar të Komisionit, por i dedikohet gjithë anëtarëve të Komisionit. Në qoftë se do të shkonim me këtë logjikë të gjyqeve, nga një gjykatë më e lartë, atëherë do të na duhet të shkarkonim me radhë gjykatës e faktit kur ia kthen gjykata e Apelit, ose të shkarkoheshin gjykatësit e Apelit, kur ia kthen Gjykata e Kasacionit.
Skënder Gjinushi- Zoti Minarolli, ju bëni mirë që e krahasoni me gjykatësit këtë komision dhe është shkelja më e rëndë që ai ka marrë atributet e një gjykate: Është antikushtetuese. Akuzën më të rëndë këtu në këtë sallë, këtij kryetari apo këtij komisioni, ia bëri zoti Azem Hajdari kur tha: “Kemi lënë edhe spiunë që të hyjnë”. Pra, ky komision paska qenë i komanduar. Qëllimisht ka lënë që të futen përsëri njerëz jo të përshtatshëm. Mjaftojnë këto komente për të rifreskuar këtë komision dhe të gjithë së bashku ta kontrollojmë që të punojë e të veprojë në rregull. Madje, duhet shoqëruar, ndoshta nesër, me komision parlamentar për të kontrolluar deputetët. Hëpërhë të kryejë veprimet për administratën. Për deputetët, deputetët ta bëjnë vetë, që të mos kemi më akuza reciproke, të jetë transparent, të bëhen të njohura faktet këtu në Parlament, në seancë plenare, në publik, me televizion, madje me kohën dhe fytyrën.
Muslim Murrizi- Unë nuk e paragjykoj as zotin Hajri Mezini, as zotin Nafiz Bezhani, por duke marrë shkas nga ato që tha zoti Pandeli Majko, në qoftë se janë të vërteta, se shkaku kryesor i ndërrimit të kryetarit të komisionit se na la Parlamentin ca spiunë dhe ca jo spiunë, më habit fakti pse kërkojnë ta heqin, se nga grupi socialdemokrat kemi përpara një ligj ku thuhet që, Parlamenti i ardhshëm do të jetë plot me spiunë. Kështu që, ai, indirekt, paska shërbyer. (salla reagon).
Luftim Ahmetaj- Konstatoj një fakt: Më 26 maj, “Komisioni Mezini” nxori shumë figura të papërshtatshme për Parlamentin e urdhëruar të asaj kohe. Po këto figura, më 29 qershor, po ky komision i nxori të përshtatshme. Kuptohet që, ose ka qenë i urdhëruar ta bëjë, ose është i paaftë, d.m.th., zoti Hajri Mezini ka abuzuar.
Spartak Ngjela- Mua më duket se kjo çështje vazhdon të politizohet akoma. Kam vënë re që, sa herë që krijohet ndonjë fenomen për të krijuar progres në jetën sociale dhe shtetërore shqiptare, ai merr forma inkuizicionale. Mendoj se komisioni “Mezini” nuk duhet ta paragjykojë me dashje apo nga paaftësia, befas mori karakter inkuizicional. Tmerroi njerëzit. Janë kthyer nga gjykata mbi 15, dëgjova këtu se nuk ka ndonjë shumë të madhe, ka shumë, sepse i kanë marrë nëpër këmbë dinjitetin. Unë kam marrë pjesë në tre gjyqe dhe të tre kanë qenë skandalozë. Atëherë, ku e gjen të drejtën ti si komision, që më merr erzin dhe publikisht më thua agjent i Sigurimit të Shtetit, në një kohë kur unë s’kam qenë. Nuk është çështja këtu, ka apo nuk ka prova, e lagu apo s’e lagu, e vrau apo s’e vrau, ose, e vodhi apo s’e vodhi. Këtu ishte një çështje shumë delikate dhe unë mendoj se në këto momente është vepruar gabim, si procedurialisht në ndërtimin e ligjit për ngritjen e këtij komsioni, ashtu edhe në veprimtarinë e komisionit, i cili ka qenë inprofesional. Më bëhet shumë qejfi që aktualisht vendoset një gjyqtar i afirmuar në krye të këtij komisioni. Unë nuk i paragjykoj gjyqtarët, por do të kërkoj që të shikohet me vëmendje ligji, kur t’i vijë radha për faktin se ky është një ligj apo dhe një komision që ka drejtpërsëdrejti me personalitetin e njeriut dhe me dinjitetin e tij, të mbrojtur me Kushtetutë. Askush nuk ka të drejtë që, në emër të një komisioni, t’i japë një njollë një njeriu, i cili sot ka pikëpyetje. Një X person ka marrë nga Gjykata Kushtetuese afirmimin; asnjë nuk e beson. Pse? Kam parë gjëra skandaloze, kam vënë re një regjistër, i cili nuk dihej se çfarë regjistri ishte dhe tjetri bënte gjyq në Gjykatën e Kasacionit dhe unë e pyesja “përse jam shkruar në këtë regjistër, për domate apo për speca” dhe ata më thoshin: “Je shkruar në regjistër dhe prandaj nuk meriton”. Pra janë bërë në atë komision gjëra që, duke mos dashur t’i paragjykoj, gjithmonë në funksion të provave, them se mund të jenë bërë në 70 për qind të tyre dhe nga mungesa profesionale dhe nga mungesa e dinjitetit të këtij komisioni. Ka ardhur koha që, në rast se do të duam që ky komision, në zbatim të këtij ligji, do të progresojë në funksion të ngritjes së shoqërisë tonë në personalitetin e saj, duhet të matemi mirë në ngritjen e tij, sepse unë e mbyll këtë diskutim, duke thënë që është një komision më tepër i rëndësishëm se gjykata, sepse ka të bëjë drejtpërsëdrejti me dinjitetin e personit, i cili ka familje, ka shoqëri, ka vëllezër. Unë kam parë njerëz që nuk dinin gjë fare, që kanë qenë shkruar nëpër regjistra dhe katër ditë nuk kanë dalë fare nga shtëpia. Kam njerëz që mund të kenë rënë pesë kilogramë në peshë dhe kot fare. Unë mendoj se ka ardhur koha që të gjithë bashkë të mendojmë se si do ta ndërtojmë. Për sa i përket kandidaturës së zotit Nafiz Bezhani, jam plotësisht dakord, por kërkoj që i gjithë komisioni të ketë karakterin e një gjykate ose të jenë gjyqtarë të afirmuar dhe, natyrisht brenda filtrave të kontrollit, që do t’i shikojmë në momentet që do të amendojmë ligjin.
Zef Bushati- …më shqetëson vetëm një gjë: Më shqetëson pyetja se kush e analizon punën e Komisionit të Verifikimit të Figurave. Pra, ky komision punon dhe nuk di të ketë ndonjë grup parlamentar apo ndonjë organ tjetër, që të analizojë punën e Komisionit të Verifikimit të Figurave. Personalisht unë nuk e njoh zotin Hajri Mezini, nuk më mundon ndonjë mëkat nga e kaluara dhe kjo nuk më ka shtyrë që ta njoh zotin Hajri Mezini, por, gjithsesi, mendoj se ai komision ka punuar. Dikush duhet ta merrte në analizë punën e këtij komisioni dhe të jepte një raport serioz këtu përpara nesh. Nuk mendoj se kjo është detyrë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe aq më pak e Grupit Parlamentar, që të analizojë punën e verifikimit të figurave. Mirë do të ishte që ne të dëgjonim një raport në lidhje me punën e këtij komisioni, nëse ka punuar mirë apo keq; ku ka punuar mirë dhe ku ka punuar keq. Gjithashtu, mendoj se në bazë të kësaj analize ne do të ishim më të qetë në ndërgjegje për të gjykuar lidhur me ndërrimin e drejtuesit të këtij komisioni….
Hamdi Hupe- …Unë dua të di, në qoftë se mund të më sqaroni, çdo të bëhet me deputetët që mund të dalin spiunë? A do të largohen këta nga Parlamenti? D.m.th., a kanë arsye që të frikësohen nga ndryshimi i kryetarit të komisionit apo jo?
Pjetër Arbnori- Unë e theksova që në fillim, që në materialin e shpërndarë nga Kryesia e Kuvendit, nuk ekziston në rendin e ditës problemi që po diskutojmë. Kam mendimin se do të ishte mirë që të respektohej materiali. Zoti Hajri Mezini do të hiqet se do të hiqen të gjithë kryetarët apo nënkryetarët, apo anëtarët e komisioneve të caktuar më parë, vetëm se duhej bërë rregullisht shkarkimi i tij dhe pastaj propozimi për zotin Nafiz Bezhani, për të cilin, unë nuk kam asnjë lloj rezerve, ose ndonjë paragjykim për të.
(Vijon)