Dekreti i Topit, Xhafaj: Procesi zgjedhor në ngërç
Bashkëkryetari i PS-së në komisionin e reformës tha se, nëse vazhdohet kështu, vihet në pikëpyetje integriteti i procesit elektoral
TIRANË- Dekreti i Presidentit të Republikës, Bamir Topi, me anë të të cilit refuzoi të japë pëlqimin për ligjin e ri elektoral, do të sjellë një seri pasojash negative në procesin e ardhshëm zgjedhor. Ky është paralajmërimi që bën Partia Socialiste, dy javë pasi u shpall ky dekret. Me anë të sekretarit të saj për çështjet ligjore, njëkohësisht bashkëkryetar i komisionit të posaçëm të reformës në Kodin Zgjedhor, Fatmir Xhafaj, selia rozë ka bërë publik shqetësimin e saj që rrjedh nga vonesat që ka shkaktuar mosdekretimi i Kodit të ri Zgjedhor. Në një dalje për mediat, menjëherë pas mbledhjes së parë të komisionit të ringritur të reformës zgjedhore, ai nuk ka nguruar që të sulmojë as kreun e shtetit, Bamir Topi, për aktin e tij të mosdekretimit të Kodit, akt që, sipas tij, nuk ishte gjë tjetër, veçse një hap i gabuar që e ka futur procesin në një rrugë pa krye. “Në cilësinë e përfaqësuesit të Partisë Socialiste në këtë komision, më duhet të them që dekreti i Presidentit nuk është gjë tjetër, veçse një pretekst i tij, duke shfrytëzuar të drejtën e vetos për ta kthyer ligjin, i cili, padyshim solli sot një pasojë shumë të madhe. Sot kemi një situatë tjetër, nuk jemi më në kushte që të flasim që Kodi Zgjedhor është në kohën e mundshme optimale për procesin elektoral. Përkundrazi, mendoj që në këtë aspekt, kthimi që iu bë Kodit Zgjedhor ka luajtur një rol negativ, për shkak sepse ka futur gjithë procesin në një ngërç të madh, gjë që ka krijuar mjaft probleme”, - tha Xhafaj. E në këtë aspekt, ai ka paraqitur një sërë efektesh negative që do të sjellë kjo vonesë në ngritjen e infrastrukturës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që duhet të mbahen në muaj qershor. Kështu, problem i parë lidhet me afatet kushtetuese që nevojiten për të ngritur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si organi që do të administrojë të gjithë procesin elektoral dhe nga konstituimi i të cilit do të varen një sërë procesesh të tjera që lidhen me zgjedhjet parlamentare të qershorit. Në këtë mënyrë, sipas PS-së, për shkak të vonesave që ka shkaktuar dekreti i Presidentit, tashmë mbetet janari si muaji kur edhe duhet të ngrihet KQZ-ja, përfshi këtu një sërë procedurash si, miratimi i ndryshimit në seancë plenare, dekretimi nga kreu i shtetit, koha për maturimin e ligjit në Fletoren Zyrtare dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të KQZ-së. “Jemi përpara pamundësisë për të plotësuar një sërë detyrimesh që vendos kodi në afatet optimale normale të tij për ta bërë të gjithë procesin sa më efektiv. Nëse vazhdohet kështu, më duhet të them që vihet në pikëpyetje integriteti i procesit elektoral, një sërë elementesh, siç janë ngritja, formatimi i KQZ-së”, - deklaroi Xhafaj. Pikërisht kjo vonesë, ka theksuar sekretari socialist, do të sjellë si pasojë direkte pamundësinë e nxjerrjes së udhëzimeve përkatëse nga ana e KQZ-së, për të cilat duhen, minimalisht, 6 muaj kohë. Gjithashtu, mospasja e një KQZ-je do të sjellë probleme edhe në publikimin e listës paraprake të zgjedhësve, për të cilën përsëri kërkohet një afat kohor prej 6 muajsh përpara datës së mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme. Nga ana tjetër, mosmiratimi i Kodit do të pengojë edhe qeverinë për të nxjerrë aktet e tjera nënligjore që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor dhe që lidhen kryesisht me detyrimin për të pajisur qytetarët me karta identiteti. Nisur, pikërisht nga të gjitha këto shqetësime, PS-ja i ka bërë thirrje Kryeministrit Sali Berisha që t’i hapë rrugë procesit të rregullimit të kërkuar në Kod, për sa i përket afatit kushtetues për shpalljen e datës së zgjedhjeve, në mënyrë që të minimizohen sadopak efektet negative që ka nisur të shkaktojë kjo vonesë. “Besoj që mazhoranca do të reflektojë seriozisht që ajo që ndodhi me dekretin të mos vazhdojë tani me Kuvendin e Shqipërisë”, - tha Xhafaj, në gjykimin e të cilit shkaku për të cilin kreu i shtetit argumentoi dekretin e vet të kthimit të Kodit, nuk qëndron. Kjo, pasi, sipas tij, Presidenti ka llogaritur afatet kushtetuese me datën kur duhet të mbahen zgjedhjet dhe jo me afatin fundor të mbarimit të mandatit të Kuvendit aktual.