Aksidentohen dy vajza tek Dëshmorët e Kombit
TIRANË- Dy vajza kanë mbetur të plagosura rënda si pasojë e përplasjes së dy makinave mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Aksidenti ndodhi rreth orës 20:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pranë kullave binjake në Tiranë, kur dy makina janë përplasur me njëri-tjetrën duke dëmtuar dy vajza të cilat në atë moment po tentonin të kalonin në kahun tjetër të bulevardit. Forca të policisë mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, për të sqaruar rrethanat e aksidentit, ndërsa dy vajzat u transportuan me urgjencë në spital, nga ku mësohet se ndodhen në gjendje kritike për jetën. Dëshmitarët e ngjarjes treguan se dy të rejat po kalonin bulevardin kur dy automjetet, u përplasën ato duke i hedhur disa metra lartësi. “Ato ranë në bulevard dhe nuk lëvizën ndërsa u mbuluan me gjak” tregoi një dëshmitar i aksidentit. Ndërkohë që policia deri në orët e vona të mbrëmjes ka vazhduar hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit, ndërsa ende nuk kishte marrë një masë ndaj drejtuesve të dy automjeteve. Po dje një tjetër aksident ndodhin në të njëjtin vend. Ka qenë një kalimtar i cili u përplas nga një automjet duke i rrezikuar jetën. Policia shoqëroi drejtuesin e mjetit, ndërsa nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve. K. Kotorri