E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia nuk zbardh zjarrvënien e Ahmetit

Katër ditë pas ngjarjes nuk është mësuar asgjë në lidhje me njerëzit që i vunë flakën makinës së krut të rrugores

TIRANË- Ende mister autorët e vënies së zjarrit në automjetin e shefit të komisariatit të qarkullimit rrugor të Tiranës, Krenar Ahmetit. Megjithëse kanë kaluar katër ditë, kur automjetit të policisë që përdorej nga Ahmeti, i vunë zjarri, policia ende nuk ka mundur të identifikojë e të kap autorët. Ngjarje ndodhi në orët e para të ditës së diel, pranë banesës së kryepolicit, në rrugën “Mihal Grameno” në Tiranë. Burime nga policia thanë se dyshohet që gjithçka ka qenë një kërcënim për shefin e rrugorëve. “Nëse autorët kanë pasur për qëllim shkrumbimin e automjeti kanë pasur mundësi ta kryejnë duke e larë atë të tërë me benzinë gjë e cila do favorizonte lehtësisht shpërthimin e makinës. Por ata kanë hedhur pak benzinë dhe zjarri ka arritur të shuhej shpejt nga banorët e pallatit”,- thanë burimet policore. Ndërkohë që nga këqyrja e imtësishme që iu krye mjetit, mësohet se grupi hetimor nuk ka mundur të administrojë gjurmë të autorëve. “Autorët mund të kenë përdorur doreza, ose mjete të forta për të thyer xhamin e automjetit duke mos lënë gjurmë gishtërinjsh në makinë”,- shtuan më tej burimet. Deri më tani dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës së Ahmetit. Ky i fundit ka deklaruar në polici se nuk ka pasur konflikte personale me njeri, ndaj dhe gjithçka mund të ketë ardhur si rrjedhojë e ndonjë pakënaqësie nga personat që procedohen prej rrugorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›