E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Staka: Stemat e klubeve të Botës më bëjnë të lumtur

17/06/2011  Stemat që ka gatuar vetë janë rreth 35-40 copë të shoqëruara edhe me vepra arti të tjera si piktura në grafikë e vaj të sportistëve

DURRES- Agim Staka është një tifoz i njohur në qytet i ekipit gjerman. Në banesën e vet që i shërben edhe si atelie, ai ka një sasi të madhe stemash të gdhendura në dru të klubeve sportive me famë botërore. Si fillime ka nisur këtë aktivitet të rrallë në llojin e vet duke sajuar e gdhendur stemat e ekipeve të njohura gjermane, duke përfituar nga simpatia e madhe që kishte për ta. Më këtë veprim prej artisti, gdhendësi të rrallë, kënaqte shijet e veta dhe tifozët e shumtë gjerman. Pas një pune sistematike, të lodhshme e të gjatë ka skalitur stema nga më të ndryshmet dhe nga më të bukurat, të cilat ngjallin admirimin e shikuesve të tij. Për shkak të pamundësisë financiare e ka pasur të pamundur të ballafaqohet me admirues të pikturës përmes një ekspozite, e cila kushton në raste të tilla. Krahas punimeve në gdhendje, Agim Staka ka edhe një sasi mjaft të madhe pikturash të tjera në bojëra vaj, guash, grafikë mes të cilave shquan portreti i Nënë Terezës, mjaft e realizuar dhe e vlerësuar nga njohësit e artit. Me shumë mjeshtëri përdor banesën e vet ku jeton i vetëm si atelie dhe mundësitë e ekspozimit i ka mjaft të pakta, ndërsa vullnetin për punë dhe pasionin artistik e ka mjaft të madh. Për këtë ai kërkon edhe rrugë të veçanta për të promovuar unin e tij artistik. Fillesat e artit të tij kërkohen në kohën e studimeve dhe në atë periudhë të paspërfundimit të shkollës së mesme artistike të Durrësit. Për gdhendjen e stemave i janë dashur disa vite punë e përpjekje pasi mesatarisht secila prej tyre i kërkon muaj gdhendje. Staka përmes gdhendjes vret vetminë, gatuan mjeshtërisht për të tjerë për t’i bërë të ndihen mirë. Mbyllja në vetvete, vetmia e kanë bërë edhe më të pjekur krijimtarinë e tij të veçantë. Përpjekjet dhe prodhimet e gdhendura ruajnë brenda gjithçka, jo vetëm pjesë të pasionit, por edhe jetën, vetminë, besimin, zhgënjimin e gjithçka që ka të bëjë me jetën e artistit. “Punimet me stemat e klubeve të futbollit më bëjnë të lumtur”,-ka thënë artisti. Ai ndihet shumë mirë në atë punishte të vogël të gdhendjes e farkëtimit të mendimeve, si dhe të mishërimit të ideve.

Arti

Agimi shquhet në qytetin e Durrësit mes shumë njerëzve me shpirt artisti. Ky njeri punëtor dhe mjaft i heshtur dallohet si një piktor, tifoz sporti i cili përveç skuadrës së zemrës që e ndjek me shumë pasion, vlerëson edhe skuadrat e tjera që bëjnë futboll të fortë dhe këtyre skuadrave u ka skalitur stemat e klubeve. Stemat që ka gatuar me dorën e tij Agim Staka janë rreth 35-40 copë të shoqëruara edhe me vepra arti të tjera si piktura në grafikë e vaj të sportistëve si Rumenige, Balack e Bekenbauer. Brezi i futbollistëve të viteve ‘70-‘80 mbetet frymëzimi për të, por bota krijuese ka më shumë hapësirë e vend. Koleksioni i stemave është kryesisht në dru dhe disa në letër adezive me mozaik aplikacioni. I është dashur që të përballojë një volum pune disa mujor deri në çastin e bindjes së vetvetes në zotësinë e mendjes e të dorës. Punimi më i thjeshtë kërkon 2-3 muaj punë për të shkuar më pas tek ato punime të cilësuara si më të arrira. Jeta e vetmuar prej artisti asket flet shumë për mënyrën e të shijuarit të punimeve. Stema e ekipeve mëdha si Bajern Mynihut, Liverpulit, Real Madridit, Romës, Interit, Juventusit, Milanit, Barcelonës janë të rralla. Në koleksionin e punëve të tij ka edhe dhjetëra punime të tjera. Për të arritur të realizojë gjithë volumin e madh të punimeve artistike, Staka thotë se e ka ndihmuar mjaft edhe përvoja e shkuar në profesionet që ka bërë në emigracion. Ai kryesisht, përdor dru ahu të staxhionuar që është mjaft i fortë dhe rezistent, por edhe pishe, arre etj sipas rëndësisë së objektit që synon të skalisë. Për këtë ai ka prodhuar edhe vetë vegla specifike, krahas atyre profesionale që ka blerë. Ai ka pesëmbëdhjete vite që gdhend drurin, por stemat janë bërë tashmë një pjesë e arsenalit artistik të tij.

Mozaikët

Agimi nuk ka përdorur vetëm drurin për të kënaqur ambiciet dhe shijet e veta artistike, por edhe një lloj të veçantë kartoni siç janë punimet në mozaik të aplikuar me karton adeziv, të prerë imët dhe të vendosura në formë mozaiku, me një dimension milimetrik të elementëve të mozaikëve. Me të tillë punime duket sikur risjell në Durrës traditën e lashtë të zbukurimit të mjediseve me mozaikë. Një prerje, sipas Stakës, është vetëm 1 mm 2 dhe një punim kërkon mijëra të tilla. Secila kërkon durim të madh. Madje një stemë të klubit të "Realit "ai e ka krijuar me karton adeziv fosforeshent, një lloj privilegji artistik që tregon edhe respektin e tij ndaj kësaj skuadre". Natën është shumë bukur”,- thotë ai, me një farë admirimi për punën e bërë. Ai ka përfunduar disa objekte në mozaik adezivë dhe ka edhe disa të tjera në dorë.

Punime patriotike

Në studion e Stakës dallohen edhe 2 stema që janë objekte jashtë jetës sportive. Ato janë stema e Departamentit Amerikan të Shtetit në gdhendje, si dhe një portret në mozaik të aplikuar i Presidentit të Amerikës. Agim Staka thotë se ato janë punime me të cilat ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj popullit amerikan dhe njëkohësisht falënderimin për kontributin e dhënë në çlirimin e vëllezërve të Kosovës nga dhuna serbe. Muaji qershor shpjegon Agimi, ka qenë jo vetëm i zhvillimit të Kampionatit Botëror të Futbollit, kur ai edhe e riti intensitetin e punës artistike, por edhe i festës së çlirimit të Kosovës, prandaj në shenjë nderimi për kombin amerikan që ndihmoi në çlirimin e Kosovës realizoi këto punime. Agimi thotë se i ka realizuar pikërisht në prag të 11 qershorit, festës së Kosovës dhe 4 korrikut festës së shtetit amerikan. Ndjesia atdhetare e patriotike ndaj kombit shqiptar dhe popujve që solidarizohen me liritë njerëzore e kanë nxitur Sakan të ushqehet vazhdimisht me tema e ide të reja. Shumë prej tyre janë përjetësuar tashmë në stemat e përfunduara e mozaikët mbresëlënës. Por artisti ka ndërmend të bëjë edhe të tjera punime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›