E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llupo: Arma që vrau Veizin s´është e imja

17/06/2011  “21 janari”, pyeten 40 efektivë të Gardës

Efektivi i njësisë speciale të Gardës së Republikës Agim Llupo, s’ka pranuar të firmosë proces-verbalin që merrte në autorizim automatikun tip ‘MP-5’ të përdorur në demonstratën e 21 janarit. Mësohet se ai ka refuzuar duke pohuar se arma që ka korresponduar me plumbin që vrau shtetasin Zivër Veizi, ditën e 21 janarit nuk ka qenë e përdorur nga ai. Kjo duket se shton akoma dhe me tepër ‘mjegullën’ që ka mbuluar katër vrasjet e demonstratës së 21 janarit, ku duket se edhe ekzekutimi i Zivër Veizit po bëhet i paqartë për hetuesit e Prokurorisë së Tiranës. Burime pranë këtij institucioni pohuan se nga provat e administruara së fundi në dosje rezulton se plumbi që i mori jetën demonstruesit nga Gjirokastra, ka hyrë në trupin e tij nga lart poshtë. Kjo provë shkencore nuk përputhet me provat filmike që Prokuroria ka mbledhur, të cilat e tregojnë Llupon të ulur në gjunjë dhe duke qëlluar me automatik. Ndërkohë lidhur me ngjarjet e 21 janarit gjatë kësaj kohe Prokuroria ka pyetur rreth 40 efektiva të Gardës. Ata kanë treguar se kanë qëlluar në drejtim të turmës me fishekë manovër, por asnjëri prej tyre s’ka pohuar emrat e gardistëve që kanë qëlluar me automatikë MP-5 dhe pistoleta ‘Bereta’.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›