E Diel, 1 Nëntor 2026

Agim Sulaj, artisti që jeton ende fëmijërinë

Ai jeton mes dy realiteteve. Në ngjyra nuk pranon të rritet. Fëmijëria, si një kujtim, nostalgji, një botë ku fizikisht e ka të pamundur kthimin, gjendet kudo në pikturat e tij. Agim Sulaj, piktori që prej vitesh prek suksese botërore, e ruan me fanatizëm fëmijën brenda vetes. Diku majë një muri, diku në trungun e një peme, një tjetër me një gjemb në këmbë, me një libër në dorë, apo me sytë e mbyllura pranë një libri, fëmijët e Sulajt duken gjithmonë të sapodalë nga fantazia. Drita që gjendet pas siluetave të tyre ta përforcon besimin. Realiteti tjetër është shumë larg të parit. I hedhur kryesisht në laps, ajo është një botë të rriturish. Një botë e mbushur me faje, me servilë, me kriza ekonomike, me njerëz që luftojnë natyrën, me të varfër e të pasur, me emigrantë të përjetshëm, me ambicie... Mbi to piktori, tashmë i veshur edhe me "kostumin" e karikaturistit satirizon. Ky është dimensioni tjetër i Sulajt. Ai që gjente shprehje në faqet e revistës satiriko-humoristike "Hosteni" që në kohën e diktaturës. Çmimin e parë për karikaturë do ta shënonte me këtë revistë në vitin 1979, kohë në të cilën përflitej se ky artist i ri do të kishte të ardhme. I lindur në Tiranë më 1960, por i rritur në Vlorë, Sulaj do të kultivonte ndër vite piktorin dhe karikaturistin. "Të dyja së bashku, piktura dhe karikatura më kanë ndihmuar të zhvilloj imagjinatën figurative dhe të ndërtoj personin tim si artist. Piktura ime i referohet fëmijërisë, kujtime të mureve e lagjeve të vjetra të Shqipërisë, duke i përkëdhelur me një dritë imagjinare, subjektet e mia kthehen në ikona të një jete të thjeshtë, por të shpenguar e të lirë. Ndërsa karikatura është një kritikë që unë iu bëj problemeve të jetës, anëve e dukurive më negative të njeriut, apo një grupi njerëzish. Karikatura nuk është një deformim sipërfaqësor i fytyrës së një njeriu, por kritika me mjete grafike e botës së tij. Janë të shumta temat që përfshijnë botën dhe problemet e lirisë së individit", shprehet artisti duke u rrekur të shprehë me fjalë atë që di ta bëjë më mirë me penel. Ka vite që Agim Sulaj i është larguar ditëve shqiptare. Prej vitit 1995 jeton në Itali, ndërsa aktiviteti i tij artistik i ka kaluar kufijtë. Veçanërisht me karikaturën. Artisti po njeh një moment të artë në këtë zhanër, ftesa, konkurrime e çmime njëri pas tjetrit. Është ana e kundërt e tablosë së zymtë e karikaturës në Shqipëri. Ky zhanër artistik mungon në hapësirat ekspozuese edhe nëse ka njerëz që vazhdojnë ta kultivojnë atë. Karikaturat e Sulajt bëhen pjesë e konkurrimeve mes mijëra veprave të tjera, e nëse do t‘i përmendje, bëhet një radhë e gjatë me çmime. Këto konkurrime në festivale që kanë pas vite të tëra traditë, e kanë bërë atë të njohur në një rreth të gjerë artistësh dhe të pranishëm në një publik ndërkombëtar. "Kur prova të tilla kurorëzohen me sukses, pra vlerësohen, ky fakt më bind që të vazhdoj rrugën time, bindjen që jeton brenda meje", shprehet Sulaj. Personazhet, edhe atëherë kur duket se lindin në mënyrë të befasishme, janë "përtypur" gjatë në mendimet e tij. Gjithçka krijon një ngacmim. Struken së pari diku në kujtesë, deri sa vjen momenti të gjejnë shprehje. Jo rrallë personazhet e tij të pikturës duken të gjallë. Ndonëse sot, në kohën e tendencave të shumta që "mësyjnë" artin, diskutimet për këtë stil realist e hiperrealist janë të shumta, Sulaj vazhdon të krijojë në këtë metodë. "Fakti i vetëm që më bën të ndjehem mirë është kur shkëputem nga bota për t‘u marrë me botën", thotë ai. Si çdo emigrant, edhe ai e ka pasur të vështirë fillimin. Në mënyrë simbolike, valixhja e emigrantit e ka shoqëruar edhe në pikturat e tij. Si artist e njohu më parë botën jashtë. Kur në Shqipëri ishte ende izolimi i diktaturës, Sulaj kishte provuar të ekspozonte jashtë. Përmes revistës "Hosteni", kur kishte mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë më 1986, ka fituar çmime në Greqi dhe në Turqi. Një ekspozitë vetjake në Brindisi më 1993 dhe një tjetër karikature në Rimini do t‘i hapnin rrugën që të vendosej përfundimisht në Itali. Pas disa trokitjesh, i hapen rrugët e një prej galerive më të njohura në stilin realist e hiperrealist, galeria "Forni". Aty iu krijua mundësia të ekspozonte krah piktorëve me famë ndërkombëtare. Sot jeton me pikturën dhe skulpturën. Veten e quan qytetar të Europës, ndërsa arti tij nuk ka etiketime, përveçse vlerës artistike. Gjithsesi mbetet i lidhur me vendin e tij. Prej vitit 2004 është prezantuar me tri ekspozita vetjake, duke mbajtur edhe kontaktin me publikun shqiptar. Teksa e pyet nëse ka menduar ndonjë projekt konkret, është në mëdyshje të jetë pjesë e një ndërmarrjeje artistike këtu. Ka menduar diçka rreth karikaturës, ndonjë festival apo konkurrim në këtë gjini, por për momentin situatën nuk e sheh shumë të favorshme. Do t‘ia lërë një kohe të mëvonshme vendimin, ndërsa është vazhdimisht i motivuar të krijojë: "Të krijoj e të punoj duke unifikuar të dyja mundësitë e mia; pikturën e karikaturën në një të vetme".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›